Javë më parë Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar logon e re dhe fanellat e reja të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Sipas raportimeve, logoja e re i ishte besuar UEFA-s, ndërsa fanellat e reja të Kosovës janë nga kompania sportive “Fourten”.
Por, që në futbollin kosovar ndodhin gjëra të “çuditshme” kjo nuk vihet në dyshim, shkruan Gazetasheshi.com
Siç duket FFK-ja e kishte me nguti ndërrimin e logos edhe pse parapërgatitjet do duhej të fillonin kohë më parë.
Kujtojmë që pas prezantimit të logos dhe fanellave të reja, ekipet kombëtare dhe zyrtarët e ndeshjeve ende kanë vazhduar me logon e vjetër.
Paradite prezantohet logo, pasdite Kombëtarja A stërvitet me logon e vjetër!
Federata e Futbollit e Kosovës në mëngjesin e 23 marsit të vitit 2021 ka prezantuar fanellat e reja dhe logon përmes një konference për media. Por, e ‘çuditshmja’ ka ndodhur pasdite kur ekipi i Kombëtares së Kosovës është paraqitur në stërvitjen e fund para ndeshjes miqësore kundër Lituanisë. Dardanët stërvitjen e kishin mbajtur në fushën me bari sintetik në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali dhe ishin paraqitur me fanellat dhe logon e vjetër.
Edhe dy ditë pas zyrtarizimit të fanellave të reja dhe logos, Përfaqësuesja A stërvitej me të vjetrat!
Dardanët kishin triumfuar kundër Lituanisë në miqësoren e luajtur në “Fadil Vokrri” me datën 24 mars te vitit 2021.
Në ditën e nesërme skuadra ishte paraqitur përsëri në stërvitjen e radhës e cila ishte mbajtur në fushën e njëjtë, ne Hajvali.
Edhe në këtë stërvitje nuk shihej logoja e re, FFK-ja nuk kishte arritur që t’i pajiste futbollistët me fanellat e reja dhe kësisoj ata vazhduan edhe më tutje me të vjetrat.
Dita e tretë e stërvitjeve, Dardanët ende pa rekuizitat e reja
Me 26 mars të vitin 2021, Kombëtarja e Kosovës vazhdonte përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin “Katar 2022”.
Edhe atë ditë, sikurse ditët e mëparshme ekipi kishte zbarkuar në fushën e Hajvalisë për stërvitjen e radhës.
Por, e “çuditshmja” ishte ende aty pasi që edhe pas tri ditëve nga prezantimi i fanellave dhe logos së re, djelmoshat ‘dardanë’ stërviteshin më të vjetrat.
Edhe ekipi U21 ndeshjet i zhvillonin me logon e vjetër!
Gjithashtu, në ditën e 26 marsit të vitit 2021, Përfaqësuesja e Kosovës U21 luante miqësoren e parë kundër Katarit U23, ku ishte mposhtur me rezultatin 2-0.
Edhe në këtë ndeshje futbollistët e rinj të Kosovës ishin paraqitur me fanellat e vjetra dhe me logon e vjetër ashtu siç mund ta shikoni në foton e mëposhtme.
Pas katër ditëve, Dardanët stërviten me fanellat e reja!
Se Federata e Futbollit e Kosovës ishte ngutur me prezantimin e fanellave të reja dhe logos ajo nuk ka asnjë dyshim.
Vetëm pas katër ditëve, Dardanët, ishin pajisur me fanellat e reja ku në stërvitjen e 27 marsit te vitit 2021 ne stadiumin “Fadil Vokrri” ishin paraqitur me rekuizitat e reja.
Përfaqësuesja A ishte “veshur” me fanellat e reja, U21 vazhdonin të luanin me të vjetrat!
Përfaqësuesja e Kosovës U21 luante miqësoren e dytë me 29 mars të vitit 2021 kundër Katarit U23, në ndeshjen e cila përfundonte me rezultat të barabartë, 2-2.
Edhe pas gjashtë ditëve nga prezantimi i fanellave të reja, FFK-ja nuk kishte arritur t’i pajiste të gjitha grupmoshat me rekuizita.
Gjyqtarët në futbollin kosovar ende me stemën e vjetër!
Superliga e Kosovës sa shkon e bëhet më interesante, por edhe pse kanë kaluar disa javë nga prezantimi i logos së re, gjyqtarët po paraqiten nëpër ndeshje me stemën e vjetër.
Në ndeshjen e fundit është parë gjyqtari gjilanas, Shpëtim Murtezi, i cili ka drejtuar ndeshjen Ballkani – Prishtina me logon e vjetër në gjoks.
Gjithashtu, sikur në shumë ndeshje edhe në ndeshjen mes Prishtinës dhe Gjilani, treshja e gjyqtarëve të kryesuar nga Gramos Shala ishin paraqitur me logon e vjetër.
Edhe djelmoshat e Futsallit nuk janë pajisuar me fanellat e reja
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka arritur në Zeist, aty ku me 5 dhe 6 prill do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër Holandës.
Edhe ekipi i futsalit siç duket nuk është pajisur me fanellat e reja, pasi që në foton e postuar nga Federata e Futbollit e Kosovës shihen me rekuizitat e vjetra.
Se cila ishte arsyeja e ngutisë nga Federata e Futbollit e Kosovës për t’i prezantuar fanellat dhe logon e re ende nuk dihet.
/Gazeta Sheshi/