Gjatë periudhës së fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus, çka ka bërë që vendi të mbyllë për disa ditë punën e lokaleve të gastronomisë në përpjekje për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit.
Në kuadër të masave të reja, nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre.
Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.
Sipas këtij vendimi, po ashtu do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Nga Ministria e Financave kanë thënë për Gazetën Online “Reporteri.net” se të gjitha bizneset që janë prekur nga kjo mbyllje do të ndihmohen përmes një pakoje financiare.
Zëdhënësi i Minsitrisë së Financave, Muharrem Shahini, i ka thënë Reporterit se masat do të jenë kryesisht të fokusuara në subvencionimin e pagave dhe të qirasë për bizneset e prekura nga vendimi i Qeverisë.
“Masat që do të ndërmirren nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë për qëllim lehtësimin e dëmit ekonomik që do të pasojë nga vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/05, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të datës 05.04.2021, për sektorët ekonomik të cekur në këtë vendim, gjegjësisht sektorin e gastronomisë, qendrat tregtare dhe të tjerat.
Masat do të jenë kryesisht të fokusuara në subvencionimin e pagave dhe të qirasë për bizneset e prekura nga vendimi i Qeverisë”, thuhet në përgjigjen e tij.
Shahini po ashtu ka thënë se MFPT do të publikojë pakon e kompenzimit financiar në ditët në vijim, përmes kanaleve zyrtare, i cili do të jetë në përputhje me këshillat dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit.
“MFPT e kupton dhe ndan shqetësimin e njëjtë me komunitetin e biznesit për ndikimin ekonomik që do të kenë masat e reja për të luftuar pandeminë COVID-19, për këtë arsye MFPT ka analizuar gjendjen financiare dhe hapësirat buxhetore të cilat mund t’i shfrytëzoj në mënyrë që masat e ndërmarra të jenë të targetuara dhe efektive.
MFPT do të publikojë pakon e kompenzimit financiar në ditët në vijim, përmes kanaleve zyrtare, i cili do të jetë në përputhje me këshillat dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.
Gjatë periudhës së fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirusin e ri.
14 persona të infektuar me coronavirus kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Kosovë, teksa janë konfirmuar edhe 685 raste të reja pozitive. Me shifrat e fundit, numri total i të infkektuarve që nga fillimi i pandemisë në Kosovë ka shkuar në 95.341. /Reporteri.net