Sipas kalendarit hënor tanimë gjendemi në muajin e Shenjtë të Ramazanit, periudhë kjo më e veçuar prej myslimanëve pasi që është një periudhë ku të gjithë besimtarët e fesë islame agjërojnë, duke u ndaluar nga ushqimi dhe pija për një muaj rresht.
Njëkohësisht sot janë falur edhe teravitë e para që është një rit më i veçantë dhe që nuk bëhet jashtë këtij muaji dhe periudhave të tjera të vitit.
Lidhur me organizimet e parapara nga Bashkësia Islame e Kosovës ka folur sekretari i këtij institucioni Ahmet Sadriu.
Sadriu tha në Klan Kosova se BIK-u është munduar që të bëj organizim sa më të mirë.
“Ne si institucion normal edhe këtë vit i kemi bërë përgatitjet tona sa më të mira. Jemi munduar që të hyjmë sa më të përgatitur në këtë muaj. Edhe pse edhe ky ramazan po na përcjell sikur ramazanin e kaluar në këtë situatë të jashtëzakonshme të pandemisë e cila e ka kapluar globin të tërë”.
“Megjithatë ne jemi munduar që edhe në këtë situatë të jemi sa më afër besimtarëve të besimit islam në forma të ndryshme, siç janë ligjëratat që i kemi nëpërmjet kanalit tonë në Youtube, Facebook dhe në faqen tonë. Do të kemi derse të ndryshme, do të kemi ilahi dhe kuran, pra do të kemi një program të larmishëm”.
Ai iu bëri thirrje besimtarëve myslimanë që t’i respektojnë masat anti-COVID.
“Bazuar në situatën dhe vendimet që i kanë marrë institucionet përkatëse. Pra, me një mbyllje ne e kemi orën policore nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Janë protokolle që duhet të respektuar siç janë: Maskat dhe distancat, dezinfektuesit. Edhe për neve vlejnë këto. I kemi lutur besimtarët që t’i respektojnë këto. Pra, nuk lejohen tubimet”.
Sekretari i Bashkësisë Islame theksoi se ata që janë të infektuar me COVID-19 nuk duhet t’i frekuentojnë xhamitë.
Ai po ashtu pati porosi edhe për personat e shtyrë në moshë.
Ahmet Sadriu tha se ata munden që namazin ta kryejnë edhe në shtëpitë e tyre.
“Ne i kemi eliminuar edhe iftaret dhe organizimet e tjera që i kemi mbajtur viteve të kaluar. Kemi pasur edhe ligjërata dhe tribuna që i kemi organizuar. Mos të harrojmë që xhamitë janë të hapura gjatë muajit të Ramazanit. Kemi bërë kërkesa i kemi përcjell tek të gjithë nëpunësit tanë dhe janë strikte dhe duhet të respektohen masat. Duhet të dezinfektohen, duhet që besimtarët që të mbajnë maskat dhe të respektohet distanca”.
“Po ashtu ne kemi lëshuar edhe në qytete një qarkore ku kemi kërkuar që e xhumaja të falet disa here që të evitohen kontaktet. Po ashtu kemi kërkuar nga ata që janë të infektuar me COVID-19 të mos i frekuentojnë xhamitë. Edhe ata që janë në moshë të shtyrë që këto shërbime të i kryejnë në shtëpi. Gjithsesi edhe ajo pranohet”.