Gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit është vlerësuar e mirë, ndërkohë që është zgjidhur edhe problemi me kafiteritë në fshatin Shillovë. Thyerjet e disa kishave nuk kanë prapavijë ndëretnike, sepse në të njëjtën kohë janë thyer edhe një numër i xhamive dhe qëllim i vetëm i vjedhësve kanë qenë paratë dhe asgjë tjetër.
Kështu është thënë në mbledhjen e sotme të Komunitetit për komunitete në Gjilan, të cilin e udhëheq Kemal Shahin prej njëzet vitesh e këndej. Ai ka thënë se për gjithë këtë kohë është angazhuar në relaksimin e raporteve ndëretnike si dhe zgjidhjen e kërkesave të komuniteteve, gjë që si trupë komunale kanë qenë shembull në këtë drejtim.
Përndryshe, Sadete Sadiku nga Policia e Kosovës, tha se gjendja e sigurisë vlerësohet e mirë, duke njoftuar se edhe problemi i kafiterive në fshatin Shillovë, që ishte ngritur si shqetësim i banorëve, disa javë më parë, është zgjidhur në bashkëpunim me inspektoratin komunal dhe tanimë lokalet janë mbyllur.
Mbylljen e kafiterive problematike në Shillovë e konfirmoi edhe Milivoje Stojanoviq, zëvendës kryesues i Kuvendit, i cili u shpreh i kënaqur që ky problem është zgjidhur.
Sa i përket thyerjeve të kishave, Sadiku tha se shënjestër e sulmeve të personave keqbërës kanë qenë edhe xhamitë dhe qëllimi i tyre është përfitimi material. Rastet janë cilësuar ’vjedhje e rëndë’ dhe kështu i kanë pranuar edhe qytetarët, sepse nuk kanë pasur motive të tjera.
Shefik Surdulli, anëtar i Komitetit, tha se policia e Kosovës meriton respekt për reagimin e shpejtë, së bashku me inspektoratin komunal, në zgjidhjen e problemit me kafiteritë në Shillovë, i cili ishte ngritur si çështje sigurie e banorëve atje, ndërkaq sa i përket vjedhjeve në objektet e kultit, ai tha se hajni do të ndodhin gjithmonë, qoftë në shtëpi privat, apo edhe në objekte të kultit, por me rëndësi është që nuk ka dyshime për motive tjera, pos vjedhjes së parave.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit ka thënë se hajnat janë persona pa karakter, persona që nuk besojnë në Zot dhe as nuk kanë respekt për objektet e kultit.
Përndryshe, Komiteti miratoi edhe raportin e Zyrës për komunitete dhe kthim për periudhën janar-mars 2021, të cilin e prezantoi Elez Kurteshi.
Sa i përket rastit të tri familjeve rome, të cilat janë duke jetuar në kushte të vështira, shkaku se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka ndërmarrë asgjë për këto familje të kthyera, zyrtari komunal Elez Kurteshi tha se gjërat kanë lëvizur për të mirë dhe tani jemi në proces të rregullimit të dokumentacionit pronësor.