Nesër pritet të mbahet protestë nga infermierët e Kosovës për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës, pagesë të punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë.
Kryeinfermieri Enlirat Duraku ka kërkuar që të ketë pjesëmarrje masive në këtë protestë në mënyrë që t’i kërkojnë të drejtat e tyre.
Ai njoftoi se protesta do mbahet para objektit të Kirurgjisë në QKUK, ku tha se kjo protestë duhet të mbahet duke iu përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së , vendosjen e maskave dhe ruajtjen e distancës fizike.
“Deri sa Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka buxhet që të ndajë fonde prej 200.000 € për kafe ndërsa ka buxhet po ashtu që t’ua paguaj energjinë elektrike minoriteteve, sigurisht që duhet të ketë buxhet edhe për rritje të pagesës së ndërrimeve të natë për infermier, pagesë të punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë”, thuhet në njoftimin e tij.
“T’i lëmë anash inatet dhe interesat personale për të mirën e përgjithshme. Njëkohësisht ftoj Sindikatën e Infermierëve të Kosovës dhe Odën e Infermierëve të Kosovës që të na bashkangjiten në protestë”, thuhet tutje në këtë njoftim.