Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2021, vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale përmes shprehjes së interesit, vendimin për formimin e komisionit vlerësues të ofertave, informatën rreth manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2021, kërkesën për lirim nga pagesa e të gjitha bizneseve të cilat janë duke shfrytëzuar hapësirat publike për qëllime biznesore si dhe kërkesën për kompensimin e komisionit për vlerësimin e ofertave.
Përgjigje dhe sqarime në pyetjet e këshilltarëve komunalë sa i përket raportit financiar, kanë dhënë drejtoresha e Financave, Miral Sadriu Vokshi si dhe shefi i Financave, Ilmi Limani, të cilët u shprehën të gatshëm për të ofruar sqarim detaj për çdo shpenzim dhe për çdo faturë.
Propozimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, përfshirë edhe kriteret, e ka paraqitur drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu, duke thënë se bëhet fjalë për një ngastër prej 3.5 ha në Bresalc. Sa i përket një lokacioni të varrezave të lagjes, i cili gjendet brenda kësaj hapësire, Fazliu tha se bëhet fjalë për 17 ari e disa metra, afër rrugës, që me një vendim plotësues të Kuvendit, mund të ndahen dhe të hiqen nga hapësira e përgjithshme.
Propozim-vendimi u përkrah nga të gjitha grupimet politike të përfaqësuara në Kuvend, si një ndihmesë për bizneset, për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Informatën për manifestimin ‘Flaka e Janarit” 2021 e ka dhënë drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, e cila është përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të këshilltarit komunal Arianit Sadiku lidhur me disa shpenzime.
Kuvendi i dha përkrahje të plotë kërkesës së këshilltarit komunal, Burim Berisha (LDK), të cilën e kishte ngritur si nismë edhe këshilltari Nehat Osmani (VV) për miratimin e një pakoje të ndihmës për bizneset, duke e marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në gjithë Kosovën, me theks të veçantë në Gjilan, si shkak i pandemisë Covid-19.
Berisha sqaroi se kërkesa ka të bëjë me lirimin nga pagesa për këtë vit të të gjitha bizneseve që kanë në shfrytëzim hapësira komunale dhe që i përdorin ato për nevoja biznesore, lirimin nga pagesa për pranim teknik të lokalit për bizneset e reja si dhe lirimin nga pagesa e qirasë mujore për vitin 2021 të bizneseve që shfrytëzojnë lokale në pronësi komunale, përfshirë edhe banesat. Hapi tjetër do të ishte dhënia e granteve për biznese, nëse lejojnë mundësitë buxhetore, tha ai.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, tha se për këtë ekziston një vendim i vitit të kaluar, ku janë të përfshira të gjitha kategoritë dhe Kuvendi mund të deklarohet për vazhdimin e atij vendimi, pa pasur nevojë për një vendim tjetër, ku bizneset do të detyroheshin të aplikojnë për këtë pako të ndihmës nga komuna. Pronat, të cilat dalin në ankand nuk përfshihen në këtë vendim, tha ai.
Shpresa Kurteshi-Emini sqaroi se në vendimin për lirim nga obligimet për vitin 2021 përfshihen bizneset të cilat janë duke shfrytëzuar hapësirat publike për zhvillimin e aktiviteteve të tyre biznesore, ashtu siç ishin liruar gjatë vitit 2020 dhe në të njëjtin format, plus bizneset e reja të cilat themelohen gjatë viti 2021.
Në pjesën për pyetje kuvendare, Riza Abdyli ngriti shqetësimin për prerjen ose dëmtimin e pyjeve në komunën e Gjilanit dhe planin për parandalimin e kësaj dukurie. Isa Agushi shtroi pyetje për shoqatat e personave me aftësi të kufizuar sa i përket ndarjes së subvencioneve, parkimin te ‘Diagnoza’ duke kërkuar që ajo pronë të jepet në shfrytëzim me ankand publik si dhe nevojën e gjetjes së një lokacioni të ri për varrezat e qytetit.
Nehat Osmani ngriti çështjen e sigurisë së qytetarëve në rrugën Gjilan-Pogragjë, shkaku i mungesës së mbrojtëseve anësore, duke kërkuar që të ndërmerren hapa para se të ndodhin fatkeqësi. Bujar Nevzati ngriti shqetësimin e tij lidhur me një problem pronësor pranë rrugës së Përlepnicës, për çka tha se ka kërkuar takim edhe me kryetarin e Komunës, ndërsa Shefik Surdulli po ashtu kërkoi mbështetje për Hendikosin, në mënyrë që kjo shoqatë të mund të përkujdeset për personat me aftësi të kufizuar. Ibish Ibishi kërkoi sqarime për shkakun e ndërprerjes së punimeve në ndërtimin e një ure në Dobërçan.
Festa Shabani shtroi pyetje për mësimin plotësues për nxënës, duke kërkuar të dijë sa ka interesim për këtë nga shkollat, pastaj për lirimin nga puna të grave shtatzëna, kurse Arianit Sadiku tha se disa prindër në Bresalc kanë ankesa për dëmtimin e rrethojës së shkollës përgjatë lumit, gjë që janë të brengosur për fëmijët e tyre, derisa në Livoç të Epërm, nxënësit janë të rrezikuar nga qentë e fshatit.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke u përgjigjur në këto interesime, tha se personalisht i ka takuar përgjegjësit e dy shoqatave të personave me aftësi të kufizuar dhe sqaroi se shkak i vonesës për shpalljen e thirrjes publike për subvencione, është mungesa e mjeteve buxhetore, por u shpreh i gatshëm për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për këto organizata.
“Ju e dini se shfrytëzuesit e hapësirave dhe lokaleve me pronësi komunale janë liruar nga obligimet, shkaku i pandemisë dhe kjo është arsyeja e mungesës së mjeteve në buxhet’, tha Ismajli.
Ismajli tha se shqetësimi për sigurinë në rrugën e Pogragjës, është i arsyeshëm dhe do të zgjidhet, kurse sa i përket urës në Dobërçan, ai sqaroi se operatori ka ankesa te dëmi që i është shkaktuar nga vërshimet dhe kërkon kompensim.
‘Unë e kam njoftuar operatorin se duhet gjetur një zgjidhje tjetër, sepse Komuna nuk mund t`ia kompensojë dëmet, ndërkaq sa i përket qasjes së disa familjeve atje në pronat e tyre, e di se është bërë një zgjidhje e përkohshme nga këshilli i fshatit’, ka thënë Ismajli.
Në lidhje me parkimin e bibliotekës, Ismajli tha se ka kërkuar nga drejtoria që të mbyllet dera e hyrjes dhe të mos lejohet keqpërdorimi nga qytetarët.
Sa i përket hapësirës te ‘Diagnoza’, Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike, tha se projekti është gati dhe pritet tenderimi, kurse për rrugën e Pogragjës tha se problemi i anësoreve do të zgjidhet në kuadër të kontratës për mirëmbajtjen verore të rrugëve, e cila tashmë është nënshkruar.
Ramiz Ramadani (Bujqësi), në lidhje me dëmtimin e pyjeve, tha se gjendja është e keqe në tërë Kosovën, por askund nuk është më e mirë se në Gjilan. Kompetencë e komunave, është vetëm mbrojtja e pyjeve, ndërsa çështjet tjera, përfshirë edhe ri-pyllëzimi, janë përgjegjësi e nivelit qendror, tha Ramadani.
Nazim Gagica (Arsimi) tha se komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për organizmin e mësimit plotësues dhe të gjitha shkollat kanë bërë planin e veprimit. Kurse në lidhje me lirimin e shtatzënave nga puna, ai tha se janë listuar rastet dhe është planifikuar zëvendësimi për to. Edhe te rasti i shkollës së Bresalcit, është kërkuar sanimi i gjendjes së krijuar nga vërshimet.
………………………………
(Seancat e Kuvendit transmetohen te plota online)