Kjo fundjavë shënoi nisjen e plazhit thuajse në të gjithë bregdetin ende pa nisur sezoni turistik. Shqiptarët e Kosovës janë të parët që janë vendosur në Sarandë për pushime disa ditore.
Plazhi nisi. Pushuesit e parë kanë mbërritur në plazhet e Ksamilit.
Temperaturat e larta të fundjavës, ujërat e kristalta dhe qetësia i ka sjellë shqiptarët e Kosovës më herët në jug.
“Do qëndrojmë 7 ditë. Kam ardhur me familjen dhe prindërit. Më pëlqen shumë uji, mikpritja”.
Thonë se pandemia nuk i frikëson për të bërë pushime, por theksojnë se ende tregohen kujdesshëm.
“Kemi pas kujdes dhe ende vazhdojmë por është shumë qetë dhe prandaj kemi ardhur pak më larg në jug. Këtu vijnë më pak kosovarë dhe shumë qetë”.
Kanë ardhur me familjen dhe do të qëndrojnë disa ditë.Thonë se do të rikthehehen sërish në mes të sezonit veror.
“Kam ardhur nga Peja, do qëndroj një javë. Do të rikthehem sërish në verë.”
Operatorët turistikë janë optimistë se ky sezon do të shënojë rigjallërimin e sektorit të goditur nga pandemia e koronavirusit.
Kjo fundjavë, që përkoi në ditët e para të majit, dha sinjalet e rikthimit të normalitetit në bregdet.