Sonte në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në Futboll ndërmjet Dukagjinit nga Klina dhe Llapit nga Podujeva. Kjo është finalja e parë e këtyre dy ekipeve, të cilat asnjëherë deri më tashti nuk e kanë fituar këtë trofe të çmueshëm, shkruan kryelajmi.com
Në fakt, pas luftës, kanë qenë dy ekipet gjilanase, Gjilani dhe Drita, të cilat kishin fituar të parat Kupën e Kosovës në futboll në vitin 2000 – KF Gjilani dhe në vitin 2001 – KF Drita.
Gjilani është fituesi i parë i Kupës së Kosovës në vitin 2000 pasi që në finale të kupës kishte mposhtur ekipin e Besianës nga Podujeva me rezultat 1:0 me golin të cilin e kishte shënuar Besnik Kollari. Pas harkimit të Xhevdet Mujit topi kishte ardhur deri te Fetahu, i cili e vazhdoi topin deri te Kollari e ky e qëlloi asisoj që portieri i Besianës, Qosa, topin vetëm e përcolli me shikim që po futej në rrjetë.
Atëbotë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Rexhep Abdullahu, kupën e Kosovës ia kishte dorëzuar kapitenit të Gjilanit, Selajdin Jerliu.
Ndeshja ishte luajtur në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë në praninë e mbi 15 mijë shikuesëve, ku gjyqtarë ishin Nijazi Shuleta, Ibrahim Delibashzade deh Adil Sopi të Prishtinës. Shënues: Besnik Kollari në minutën 75. Me kartona të verdhë ishin ndëshkuar F. Fetahu e S. Ajeti të Gjilanit dhe F. Statovci i Besianës.
Gjilani: Ajdini, Xhemajli, Sadriu, S. Ajeti, Jerliu, Terziu, N. Sahiti, Rrahmani, Kollari, Hodai dhe Muji. Trajner: Musa Selimi.
Besiana: Qosa, B. Islami, Hoxha, Salihu, Kurti, F. Statovci, Emini, Arifi, Konushevci, Rrahmani dhe Keçi. Trajner: Bylbyl Sokoli./Kryelajmi.com/