Është inauguruar sot në Gjilan Muzeu Etnologjik në objektin e ish-shkollës së muzikës, i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit të IPA II të bashkëpunimit ndërkufitar mes Gjilanit dhe Kumanovës, ngjarje kjo ku pos kryetarit Lutfi Haziri, të pranishëm ishin edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e kryetari i Komunovës, Maksim Dimitrievski.
Kryetari Haziri ka thënë Muzeu Etnologjik do të hapet për qytetarët dhe turistët, duke ofruar vlerat etnologjike.
“Jam shumë i lumtur që sot e inauguruam Muzeun Etnologjik në Gjilan, i cili është vendosur në njërin nga objektet më të mira, më të vjetra dhe më të konzervuara. Muzeu, i cili është projekt i bashkëpunimit ndërkufitar me Kumanovën, do të hapet për qytetarët dhe turistët, duke ofruar vlerat etnologjike, ndërkaq Muzeu i Qytetit do t’i ruaj vlerat arkeologjike deri në historinë më të re të Gjilanit. Falëmnderit të gjithë atyre që janë angazhuar, e në veçanti mbështetësin financiar që janë fondet e BE’së”, tha Haziri.
Ai ka falënderuar për mbështetjen dhe prezencën shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, shkëlqesinë së tij, ambasadorin Tomas Szunyog, sikurse edhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Fjalë rasti në këtë ngjarje pati edhe ambasadori Szunyog dhe kryetari Dimitrievski, të cilët theksuan se ndihen të lumtur që në Ditën ndërkombëtare të muzeut po inaugurohet Muzeu Etnologjik në Gjilan.
Më pas, kryetari Haziri, ambasadori Szunyog dhe kryetari Dimitrievski, kanë parë nga afër objektet etnogtrafike, përfshirë veshje, vegla pune, enë dhe orendi, aksesorë, punë artizanale nga tekstili, druri e materiale të tjera, të cilat flasin për jetën ekonomike, shoqërore e shpirtërore të Gjilanit me rrethinë.
Ndryshe, misioni i Muzeut Etnologjik të Gjilanit është që të ruaj dhe promovojë objektet etnologjike, rrëfimet, ngjarjet dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve të Gjilanit me rrethinë.
Muzeu do të jetë hapësirë e cila do ta inspirojë e edukojë publikun dhe gjeneratat e ardhshme për të kaluarën e Gjilanit, duke u ekspozuar objektet etnologjike të cilat tregojnë për praktikën, aftësitë dhe vlerat shoqërore të Gjilanit.