Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur pas përfundimit të darkës së organizuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josef Borell dhe liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti pas këtij takimi ka folur për takimin e ardhshëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se takimi do të zhvillohet në mesin e muajit qershor.
“Do të jetë diku aty rrotull mesit të qershorit, nuk mund ta them tani saktësisht por do të ketë takim se si do të vazhdohet me dialogun, cili duhet të jetë kapitulli i ri këtij dialogu. se nuk mund të vazhdojmë si ka qenë vitet e fundit., duam dialog si palë të barabarta, të përgatitura mirë, thelbi është jo vetëm si e ka thënë presidenti amerikan Biden por edhe shumë lider të tjerë botëror se zgjidhja e ka emrin njohja reciproke. Njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, tha ai transmeton Reporteri.net.
Kurti ka thënë se takimet si darka e sontme do të vazhdojnë dhe se herët tjetër takimi do të mbahet në ndonjërin nga vendet ballkanike.
“Do të vazhdojmë me këto takime. Takimi i radhës do të mbahet në Ballkan”, tha kryeministri Kurti./Reporteri.net