Albin,
legalizoje prostitucionin dhe dekriminalizoje. I ke votat e mjaftueshme nga deputetët e tu në Kuvendin e Kosovës. Hiqe “Masazhin” dhe “Te muzikat”. Që mendon se nuk është temë popullore dhe humb vota, dije që privatisht, njerëzit të mbështesin për këtë nismë.
Nga shumë studime, në zonat ku është bërë legalizimi dhe dekriminalizimi i prostitucionit, janë ulur dukshëm përdhunimet, abuzimet seksuale, rastet me sëmundje të transmetueshme seksuale, krimet, përdorimi i drogës dhe janë rritur taksat e turizmi.
Albin,
në shumë vende perëndimore, është legalizuar prostitucioni. Pasi shumica e ligjeve kosovare janë në harmoni me ato të Bashkimit Evropian, edhe një ligj që legalizon e dekriminalizon prostitucionin, do të ishte në harmoni me legjislaturën evropiane. Ashtu-kështu po bëhet, kështu që, më mirë të jetë i kontrollueshëm, me detyrime mjekësore për ofruesit e shërbimeve seksuale dhe me luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Albin,
legalizoje prostitucionin, ose bile dekriminalizoje, bëje me gjobë p.sh., 1 mijë euro. Rreziko pak vota të fetarëve e konservatorëve, e përmes legalizimit apo vetëm dekriminalizimit të prostitucionit, uli rreziqet e lartpërmendura.
Albin,
ndryshoje vendin. Njerëzit çdo ditë flasin shumë për seksin, madje shikimi i trupave si “aktivitet i lirë”, është bërë praktikë e përvitshme dhe e përditshme, sidomos gjatë verës. Përmendet me mahi, “kullotja e syve”, “me i kënaqë sytë”, “shih atë e këtë”… Një lloj “vujarizmi kolektiv i tejtheksuar”. Dekriminalizimi dhe legalizimi i prostitucionit, nuk do ta rriste atë, por vetëm do ta fuste nën kontroll nga skenat e fshehta e të pakontrollueshme. Do t’i ndihmonte edhe më të moshuarve, të cilët për fatin e keq, kanë lëndë të hapura gjyqësore, edhe me subjekte që nuk do të duhej të bënin seks me to, për asnjë çmim. Prostitucioni u ndihmon edhe atyre që kanë lindur me disa papëlqyeshmëri trupore, të cilët nuk marrin tërheqje dhe janë të izoluar seksualisht.
Albin,
legalizoje prostitucionin. Ose, bile dekriminalizoje.
Ndryshoje vendin.
Për ujë, ka puse, bunare, ujësjellës, çezma dhe në shitore e markete, shitet uji në bidona nga disa kompani.
Për bukë, ka gatime shtëpie, miell, gatuhet, por ka edhe qindra furra.
Për seks, përveç martesës dhe ndonjë praktike tjetër të njohur, thuajse s’ka asnjë zgjidhje dhe zgjedhje tjetër. E jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
Albin,
legalizoje prostitucionin. Mos mendo se njerëzit po shkojnë për t’i parë elefantët në Tajlandë, por shumica po shkuakan për seks. Prandaj, shndërroje Kosovën në Tajlandë, pa elefantë.