Të respektuar profesorë!
Të dashur maturantë!
Ndjenjë absolutisht e veçantë të jem sot bashkë me ju, në këtë moment ku bëhen bashkë fundi dhe fillimi. Fundi i rritës suaj t’suksesshme si të rinj dhe kurorëzimi ceremonial sot, si dëshmi e sukseseve tuaja dhe e besimit të të gjithë neve në ju. Fillimi dhe hyrja në një botë të re sfiduese, me entuziazëm e besim se jeni e tashmja e sigurtë dhe e ardhmja prosperuese.
Rrethanat deri tek Matura juaj ishin të pazakonta, kur kemi parasysh sfidën e përbashkët me Pandeminë e Covid 19, dhe kufizimet që ajo na ka sjellë të gjithëve, veçanërisht juve të.nderuar maturantë që u ka cunguar çastet e gëzimeve që natyrshëm i keni merituar.
Kjo besoj, ka bërë që të rriteni më shpejtë, që të përballeni parakohshëm me sfida e vështirësi, prandaj e nesërmja ju gjenë më të përgatitur për çfarëdo vështirësie që ju shfaqet.
Këto vite bashkë me profesorët tuaj ne kemi përcjellur e sukseset tuaja e jemi gëzuar bashkë me ju; kemi pasur momente të mira e të vështira, suksese e ngecje…..po fakti se jemi këtu sot, dëshmon se ia kemi dalë bashkarisht – se ia keni dalë të jeni ata që duhet të jeni.
Nesër, në rrugën tuaj të madhe të hapur të jetës, edhe nëse ju na keni harruar, ne do të përcjellim sukseset tuaja; do të gëzohemi me gëzimet tuaja, sepse e dimë ju do të na bëni krenar.
Bota nesër për ju do të jetë ndryshe nga kjo sot, po ju keni shpirtin e madh e mendjen e ndritur për t’u përballur me të.
Ju falemnderit për sukseset tuaja, për çastet e gëzimeve që i keni falë shkollës.
Zoti ju bekoftë kudo që ju çelë e nesërmja.
Gëzime, qeshje, shëndet e vetëm suksese lexofshim në sytë tuaj.
Gëzuar!
Urime!