TEODOR PANGALLOS: JU RRËFEJ PËRNDJEKJEN E ÇAMËVE DHE MBRETIN ZOG
“Gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë, admiral Kundurioti, admiral Seqellariu, gjeneral Kunduli dhe shumë grekë të tjerë të zgjedhur janë të gjithë me origjinë shqiptare”
Nga Presidenti i Greqisë gjeneral Theodoros Pangallos
Për sa i përket fqinjit tonë Ballkanik, është më se e njohur dhe për këtë dëshmojnë arkivat e ministrisë së jashtme, se marrëdhëniet tona arritën gati-gati nivelin e një Konfederate, më 1925 dhe 1926.
Që nga koha e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë.
Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshalli i paharruar Gjergj Karaiskaqi.
Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, heroi i nëndetëses “L.Kconi” V.Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi amalgamën e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit.
Më 1914, me fillimin e Luftës se parë Botërore, u ktheva në Greqi nga Franca ku kreva studimet dhe iu paraqita Eleftherios Venizellos, atëherë kryeministër dhe ministër i Ushtrisë, i cili më emëroi përgjegjës të shtabit në Divizionin e 8-të të Prevezës.
Venizellos më tha në mirëbesim se ka vendosur të pushtojë befasisht Epirin e Veriut (Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, Vlorën, shënim i A. Llalla). “Kam bindjen se do t’ia dalësh mbanë, pse flet edhe gjuhën e shqiptarëve”, shtoi. Atëherë isha major, shkova në Prevezë dhe pas pak ditësh mora një urdhër sekret, ku divizioni urdhërohej të pushtonte Epirin e Veriut, duke zbarkuar në portin e Sarandës. Politikani i madh, theksonte në veçanti nevojën e mbajtjes rreptësisht sekretet nga italianët.
Operacioni u krye me rregull të plotë dhe u pushtua vija e vjetër në veri të Gjirokastrës. Kur pas pak ditësh shkova në Athinë, kisha natyrisht një kuvend të gjatë me kryeministrin dhe mbeta i befasuar se ky politikan demonik, që kishte vetëm tre vjet në Greqi, kishte kuptuar plotësisht rëndësinë jetike që kishte për Greqinë Çështja e Shqipërisë. Mendimet dhe këndvështrimi i Venizellosit, qenë bazat kryesore, ku mbështeta politikën që zbatova më 1925, e cila veç të tjerash kishte si rezultat të dërgoheshin djelmosha shqiptarë në Athinë për të studiuar në shkollën e kadetëve dhe atë të marinës.
Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të Çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme, dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone (Çamërisë shënim A. Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm.
Shqyrtova dokumentat përkatëse dhe u binda që deklarimi i ministrisë së jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, e të tjerë. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i ministrisë së jashtme nuk qëndronte.
Thirra me një herë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur:
“Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë (“shqiptarë të këqinj” shënim i. A. Llalla) zoti Kryetar.”
Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shkelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre, ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre.
Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga froni, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip “Vëlla i madh”. Dhe unë atëhere nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqipe quhet “Besa”.
Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.
Kur u vendosën marrëdhëniet miqësore dërgova si ambasador të Greqisë në Tiranë gjeneralin Aleksandro Konduli, bashkëqytetar i imi që dinte shkëlqyeshëm jo vetëm shqipen tonë, atë të Shqipërisë së Jugut, por edhe idiomat e gegëve. Brenda një kohe të shkurtër Konduli arriti të fitojë miqësinë e mbretit shqiptar Ahmet Zogut.
Brenda vitit u nënshkruan katër marrëveshje ndërmjet të dy vendeve; ajo konsullore, nënshtetësisë, bashkëpunimi tregtar dhe detar, për dërgimin e kriminelëve e të tjera. Përveç këtyre marrëveshjeve, kishin përparuar shumë bisedimet e fshehta. Kufiri në mes të dy vendeve, në të vërtetë ishte hequr dhe djemtë shqiptarë siç e thashë dhe më sipër, u dërguan për studime në shkollën e kadetëve dhe atë detare. Në korrik 1926, pas bisedimesh të gjata, gjenerali Konduli arriti në marrëveshjen përfundimtare për çështjen e Bankës së Shqipërisë, Mbreti Zog pranoi si aksionere Bankën e Greqisë me 25% të aksioneve.
E kuptoni rëndësinë e madhe të këtij fakti. Nuk diskutohet fare se, po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, Shqipëria do të ishte jo armike, por do mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongolë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar se ata janë ilirë, pasardhës të pellazgëve.
Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët, bullgarët, por përkundrazi, gjaku, traditat dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek.
Miauli, Kundurioti, Sahturi, Odiseas Andruços dhe mijëra grekë të tjerë me origjinë shqiptare luftuan me heroizëm për pavarësinë e Greqisë në kryengritjen e 1821.
Profesori i Universitetit të Mynihut, historiani Hertzbert, në librin e tij mbi historinë e kryengritjes, shkruan ndër të tjera: “Pak ditë pas ngritje së flamurit të kryengritjes, në prill 1821, 1.500 shqiptarë të krishterë, banorë të fshatrave të Dervenit, u mobilizuan nënkomandën e Haxhi Meletit në Korinth kundër Qamil Beut të tmerrshëm”. Nuk qenë shqiptarë ushtarët që përmend Hertzberti, por ishin shqipfolësit gjyshërit e stërgjyshërit tanë që banonin në Vila, Kindira, Mandra, Elefsina. Qenë gjyshërit e gjeneralëve Nikolaidhit, Kondulit, Roka, të autorit të këtyre rreshtave, të admiralit Sakelariut, të heroit kombëtar Laska, dhe kaq e kaq grekëve të zgjedhur, me origjinë shqiptare.
A nuk kisha të drejtë, kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të thoshte, “paloallvani” (“shqiptar i keq”, shënim i A. Llalla) të thoja dhe unë se ministria e jashtme ishte një çmendinë? Kur fliste kështu drejtori i përgjithshëm, e marrë me mend se si qenë vartësitë e tij të afërt. Askush nuk e di se çfarë të papriturash na ruan e ardhmja. E gjykova si detyrë të bëja përshkrimet e mësipërme, që të mësojë populli grek pamjen e përgjithshme të problemit. Nuk jam dakord me atë pjesë të shtypit, që shan dhe përbuz popullin shqiptar. Kam bindjen e patundur se shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për prirjen kundër greke të qeverisë komuniste. Jam i sigurt se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk i dinë as si emra Marksin, Leninin, Stalinin e të tjerët. /27.al
Botuar në gazetën “Akropolis”, gusht 1949