Shkruan: Avni Rudaku
Është shumë e vështirë që prej vitit 2008 që publikoj shkrime, të më gjeni që shkruaj për emra të përveçëm. Më shumë se për njerëzit, dua të merrem me fenomenet dhe dukuritë. Edhe thashethemat, më acarojnë në tavolina, pikërisht se funksionojnë me përmendjen e emrave të përveçëm, sidomos me shtesa, shtrembërime, shpifje, përgojime, komente, shpotitje, llomotitje, personalizime, prishje privatësish e lloj-lloj vlerësime të pabaza. Por janë disa raste kur shkruaj për njerëzit, kur kanë rrëfime të veçanta, janë të sinqertë në jetëshkrimin e tyre, kanë guximin për t’i ndarë gjërat me ju, edhe kryesisht ndjenjat e pakëndshme ku nuk i bëjnë vetë ata e ato protagoniste, por tregojnë një dhembshuri universale njerëzore. Ka edhe raste kur shkruaj për individët, kur janë të veçantë në atë që thonë, bëjnë, tregojnë, punojnë. I tillë është Artoni, që e njoha duke eksploruar lagje më lagje të Pogragjës, nga eksplorimet e çdo fshati të Komunës së Gjilanit, Dardanës, Vitisë, Artanës, Ranillugut, Parteshit, e shumë fshatra të Luginës së Preshevës, Ferizajt e të ato të Shqipërisë, për shumë vjet. Shumicën e fshatrave, i vizitoj me mjetin motorik që vihet në lëvizje nga dy këmbët e mia – biçikletën. Zakonisht në një frekuencë të këtyre udhëtimeve në zonat rurale, e kam shoqërues, sidomos Asdrenin, por në shumë raste, vjen edhe Albani, Urani, Refiku, e do shokë të tjerë që na bashkohen nganjëherë. E di nga fotografitë e të gjitha fshatrave, që Asdreni është më prezenti me dyrrotëshin e tij dhe Artonin e kemi takuar edhe me të. Gjersa ishim sot në itinerarin Gjilan-Pogragjë-Gllogoc-Ranillug-Korminjan-Ropotovë-Përlepnicë-Gjilan, në një nga pikat e ndaljes, ishte edhe Pogragja. Gjatë udhëtimeve tona, zakonisht nuk blejmë gjëra në qendra të mëdha tregtare në Gjilan, por një shishe ujë nëse e blejmë, a një gjevrek, duam ta blejmë në fshatra, pasi që është kënaqësi t’i ndihmojmë sadopak dyqaneve të pavarura tregtare në fshatra, kafeterive lokale etj. Përveç mbështetjes për këto shitore të vogla fshatrash, ju mund të bisedoni me banorë lokalë, duke njohur më shumë historikun, objektet kulturore-historike, hallet dhe të përditësoni informacionet për fshatrat në vazhdimësi. Udhëtimet tona janë me natyrë kryesisht antropologjike, e jo për gara biçiklizmi, duke kaluar andejpari, por pa i njohur fare ato. Artonin e njohëm duke pirë kafe në kafebarin në Pogragjë. Na tregoi me fotografi, për dëmet e mëdha: humbjet e thasëve me patate dhe ngordhjen e qindra zogjve. Na krijoi edhe revoltë, edhe dhembshuri, teksa po tregonte fotografitë, por edhe zhgënjimin prej Qeverisë e deri në Komunën e Gjilanit, që ende asgjë nuk ka kompensuar për të dhe për dhjetëra familje të dëmtuara nga reshjet e fundmajit në Pogragjë e Sllubicë.
Kush është Artoni?
Artoni me moshë 27 vjeçare, jeton në fshatin Pogragjë. Ka kryer gjimnazin – drejtimin natyror, në shkollën e mesme në Gjilan, dhe më pas, në një kolegj universitar privat, vazhdoi studimet universitare për Banka dhe Financa, dhe për disa provime, është në prag të diplomimit. Artoni, më 19 qershor 2019, mori besimin e banorëve dhe u bë Kryetar i Këshillit të Fshatit Pogragjë, por pas një kohe, kaloi publikisht në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kërkoi dorëheqjen, pasi që e thotë me pjekuri, se kryetari i fshatit nuk duhet të jetë partiak, ndonëse preferencat e partiake janë të drejta kushtetuese e qytetare të çdokujt. Për shkak të pandemisë, ende nuk është zgjedhur kryetari i ri, por Artoni mezi pret ta sheh pasaardhësin e tij, që merret me punët e fshatit, pa dallime partiake, qoftë edhe me mërzinë e fshatit nga humbjet prej vërshimeve të fundit.
Artoni si bujk e blegtor
Artoni është i veçantë në atë që është dhe në atë që bën. Është bujk dhe blegtor, profesione të lindura para rreth 10-12 mijë vjetësh, në historinë e njerëzimit. Është fshatar në plot kuptimin e fjalës: jo “katunar” për ta stigmatizuar, stereotipizuar, paragjykuar, diskriminuar e linçuar, por është fshatar që jeton në fshat, bën jetë fshati, ka profesion tipik për fshatin, është origjinal në raport me mjedisin e tij natyror. Nuk jeton në fshat ku bëhet ushqimi bio, e të blejë për çdo ditë patate e domate, që nuk e di njeriu a është duke ngrënë me të vërtetë patate e domate, apo plastikë, plastelinë, llastëqe, pa asnjë shije e aromë, sikur ta kishim koronën. Thjesht, Artoni jeton në fshat, punon si bujk, fermer, blegtor. Artoni ka kultivuar patatet, misrin, fasulen, por edhe me rritjen dhe mbarështimin e bagëtive, veçanërisht demit, mëzatit, viçit.
Artoni po e lë bujqësinë, po shkon në CISCO
Artonit i ndodhi ajo që mund të pritej: reshjet intensive të shiut dhe vërshimet e lumit të fshatit Sllubicë e Pogragjë, sikur dhjetëra familjeve, i shkaktuan dëme mbi 5 mijë euro. Gjithçka ndodhi për 20 minuta – rrëfeu Artoni. Saktësisht, tregoi 27-vjeçari, më 27 maj, ora 20:30 e mbrëmjes, shiu e çartja e lumit na mori fshatin, shtëpitë. I ngordhën rreth 300 zogj pulash, pasi kishte inkubator t’i çelte, edhe me kapacitet deri në 1500 për inkubim. I janë dëmtuar rreth 2 mijë kilogramë patate të mbjellta e 80 thasë patatesh rezervash të grumbulluara. Si bujk e punonte arën, kryesisht me patate, ndërsa kultivonte edhe rritjen e zogjve, duke e fituar edhe një grant nga Bashkimi Evropian, e të implementuar nga Komuna e Gjilanit. Por dëmet nga vërshimet janë të mëdha. I ngordhën të gjithë zogjtë. Iu dëmtua parcela ku bëheshin patatet, si dhe uji i papastër nga vërshimet i preku edhe patatet që i kishte si rezerva në thasë. Aq shumë ishte i zhgënjyer me Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Bujqësi, dhe i pakënaqur me Ministrinë e Bujqësisë, madje edhe me opozitën lokale, sakaq fliste krejtësisht i demotivuar dhe kritikonte me të drejtë intervenimin e vonuar, e vizitat e shpejta por pa impakt. Aq larg i shkoi pikëllimi për humbjen e aq shumë bereqeteve që do t’i merrte tash, sakaq po e mendon braktisjen e bujqësisë dhe blegtorisë (gjedhëtarisë dhe shpezëtarisë). E ka menduar nisjen e kurseve dhe trajnimeve në nivelin hyrës (Entry-CCENT) për CISCO, që ka të bëjë me certifikime në rrjete kompjuterike e IT, në disa nivele. Në një anë, e ardhmja është teknologjia e informacionit, TIK-u, programimi, IT, rrjetet kompjuterike etj., por në anën tjetër, Artoni si i ri 27-vjeçar, ishte e dobishme ta përçonte mesazhin te rinia kosovare, që të orientohej edhe në bujqësi, edhe në blegtori, pse jo edhe në teknologji. Vendi ynë i vogël, duhet t’i kthehet doemos bujqësisë e blegtorisë, sepse nuk kemi deti, nuk jemi shtet me aq shumë territor e banorë, si dhe në arenën ndërkombëtare llogaritemi nga studiuesit e shkencave politike, si “shtet i stigmatizuar”, na njohin mbi gjysma e shteteve të OKB-së, por edhe shumë shtete të fuqishme ende nuk na njohin; ende jemi larg anëtarësimit në BE, OKB, NATO. Herë kemi fusnotë, herë nuk kemi. Herë na ngjitet Rezoluta 1244, e herë jo. Në pak vende na lënë pa viza, mbesim i vetmi shtet pa libealizim vizash në Zonën Shengen dhe shumicën e shteteve të tjera të botës. Në të gjitha anët kemi pengesa të panumërta për investitorë lokalë e të huaj. Prandaj, çdokush që i kthehet vetes, mjedisit të tij natyror, bujqësisë, blegtorisë, ka plot shpresë për të gjetur një kuptim të ri për të qëndruar në vendin e tij, pa përjashtuar edhe prioritetin si rini që kemi qasje në teknologji dhe nuk jemi të izoluar nga trendët e rinjë globalë, si modele që mund t’i kemi disa shtete baltike, ose si Izraelin, ku i kushtojnë shumë rëndësi zhvillimit të ekonomisë nga teknologjia e informacionit, inovacionet teknologjike etj. Artoni si shembull i mirë i punëtorit të zellshëm, mund të hiqet si model inkurajues. Shpejt do të ketë të rinj të cilët do të thonë kur ia përmendni bujqësinë e blegtorinë: ”S’ka asgjë prej kësaj pune, shihni Artonin, çka i ndodhi, e la krejt. Ja ai ka qenë i pasionuar, ja askush tjetër, por një shi i madh, skurrel, ia prishi krejt investimin e mundin. Askush nuk i ndihmoi, ose u vonua t’i ndihmonte!”
I ri dhe bujk
Shkolla e Bujqësisë në Gjilan është tregimi më pikëllues. Edhe donatorët ndërkombëtarë janë zhgënjyer tejmase me aq shumë investime në atë shkollë dhe kot. Shkolla mbeti pa nxënës, sepse doli legjenda urbane nëpër qytet: “Rinia nuk po e do shkollën, që nuk është afër kafiqave”! Ose: “Rinia nuk e do bujqësinë si drejtim profesioni!” Merreni me mend: dështimin e Shkollës së Bujqësisë në Gjilan, orientimin e gabuar të aq shumë maturantëve, cilësinë e dobët në arsim, demotivimin e studentëve për të mësuar pa perspektivë për tregun e punës, dhe lidheni me çështjen e Artonit: po e lë bujqësinë e blegtorinë, e po merret me kompjuterizëm! Prandaj, me Artonin, si ekzemplar ose mostër rrugëtimi, mund të shpjegohet gjithçka tjetër për qasjen e gabuar të shtetit, komunës e shoqërisë mbi ekonominë, rininë dhe profesionin.
I ri, me diplomë të Fakultetit të Bujqësisë dhe ka turp
Sa shumë të rinj kam takuar, që e kanë lënë në gjysmë, ose e kanë kryer Shkollën e Bujqësisë, ose edhe kanë diplomë në Fakultetin e Bujqësisë dhe ndihen keq të tregojnë se çfarë kanë studiuar. Po ku ka shkencë të keqe bre?! Po ku ka profesion që duhet të ju turpërojë, nëse është i ligjshëm e moral, që e ke përzgjedhur me dhunti, pasion, merita, perspektivë, informim e këshillim të drejtë profesional?! Po si t’i bindësh të rinjtë, kur shpotitja për fshatin e bujqësinë, ka qenë dhe mbetet ende e madhe, veçmas te një pjesë e rinisë nga zonat urbane dhe shumë klishe naive për bujqësinë, qoftë edhe si degë shkencore dhe shumë interesante e ekonomisë. Kur baçelorët me diploma “kompleksohen” e turpërohen, duke mos shprehur krenari për profesionin e tyre në fushën e bujqësisë, Artoni është fenomen krenarie. Është fenomen, sepse ka pak të rinj që e duan bujqësinë, e admirojnë atë, lavdërohen me të, motivohen për punë bujqësore e blegtorale! Prandaj, Artonin duhet një qytet, një komunë, një shtet, një shoqëri, një komb, ta mbështesë, ta subvencionojë në urgjencë, t’i kompensohen dëmet, të motivohet e të stimulohet me të gjitha mjetet në dispozicion, që të mos e braktisë veprimtarinë bujqësore e blegtorale. Të mos e braktisë as fshatin, sepse janë dy lloje të braktisjes së fshatit dhe njëra është edhe më e fshehur dhe më e pavërejtshme: kur jetoni në fshat dhe çdo gjë hani me “të bleme”! Jetoni në fshat, por si shumica dërmuese e kosovarëve në zona rurale, bëjnë jetë urbane. Atë që e bën çdokush në qytet, qoftë duke pirë kafe në kafeteri për çdo ditë, qoftë duke blerë çdo gjë në qendra tregtare, qoftë nga shtëpitë moderne (interier e eksterier), e bën njësoj edhe ai e ajo që jeton në fshat. Dallimet fshat dhe qytet janë shumë të vogla dhe po tkurren, sa i përket mënyrës dhe stilit të jetesës, e sidomos kequshqyerjes. Sa shumë shitet uji edhe në fshatra! Sa shumë shitet jogurti slloven, por edhe ai lokal, edhe në fshatrat e Kosovës, ku ka kullosa të mrekullueshme për bagëti dhe ushqime të shëndetshme të vetëkultivuara! Prandaj, jeta e homogjenizuar fshat-qytet, duhet të ndryshojë, në kuptimin e profesioneve, ushqimit e orientimit. Pse të mos e mbajë fshati qytetin, me bylmet, ndërsa qyteti me zejtari e tregti?! Pse të mos hamë patatet e Artonit nga Pogragja – fshat me organizim fantastik, me kontribute të çmuara të Shoqatës “Pogragja” nga mërgimtarë jashtë vendit e pogragjasit – e të blemë patate sikur të bëra nga plastika nga vende të ndryshme?! Nëse Artoni ndihmohet kur vërshohen prodhimet e tij dhe i ngordhin edhe zogjtë e pulave, ju e ndihmoni jetën e vërtetë rurale, profesionin e duhur, harmoninë e jetës së fshatarit me mjedisin e tij natyror, më shumë ushqime bio, më pak kequshqyerje, më shumë toka pjellore, më pak beton, më pak ndotje ambienti, më pak papunësi, më pak migrime sublokale nga malësia në fshatra më të afërt me qytetet, më pak migrime të brendshme rurale-urban, ndërurbane, apo drejt kryeqytetit, apo edhe migrime ndërkombëtare e globale. Sa shumë fshatra janë braktisur nga rinia kosovare që kanë ikur jashtë vendit! Artoni është i ri, merret me bujqësi e blegtori, por ka filluar ta mendojë edhe braktisjen e bujqësisë e të blegtorisë, por edhe braktisjen e Kosovës. Artoni duhet të mbështetet me shpejtësi, edhe për faktin që ka të rinj që me diploma skuqen padrejtësisht dhe gabimisht për orientimin e tyre profesional në bujqësi, ndërsa Artoni kur të rrëfen për bujqësi, i kënaqet zemra dhe mbushet plot dinjitet, integritet, identitet dhe qëndrueshmëri në personalitetin e tij.
Artoni është heroi im dhe patriot
Artoni është heroi im i pasluftës. Në përgjithësi, kushdo që është bujk, e shoh një atdhetar të jashtëzakonshëm. Adem Jashari ka qenë edhe bujk, por mbetet ndër heronjtë më të veçantë në historinë e kombit shqiptar, në mos, dallohet me sakrificat e tij, edhe në historinë e rrëfimeve për heronjtë e krejt botës. Pse bujqit janë heronj, patriotë e atdhetarë?! E thjeshtë për ta shkoqitur: bujku lidhet me arën, me fushën, me tokën, me dheun. Me dheun lidhet atdheu e mëmëdheu. At plus dhe, bëjnë atdhe. Mëmë plus dhe, barazim me mëmëdheun. Bujku e do tokën, lufton për tokën, vendlindjen. Historia e njerëzimit ndahet në dy grupe: në banorë që nguliten në një vend, dhe në banorë që lëvizin si nomadë. Nacionalizmi lindi nga grupi i parë. Faza e parë e patriotizmit lindi me bujqësinë, kultivimin e kopshteve të para. Kur njerëzit merreshin vetëm me gjueti të kafshëve të egra, këputjen me rrënjë të bimëve të egra, duhej të lëviznin nga një vend në tjetrin, kudo që gjenin kafshë e bimë. Por kur i zbutën kafshët, lindi blegtoria, dhe kur i “zbutën” bimët, lindi bujqësia. Kur e rrethuan një tokë, e mbollën patate si Artoni, filluan të mos lëviznin shumë, por të lidheshin emocionalisht me atë vend. Prandaj, prej bujkut lindi patriotizmi, dashuria për vendlindjen, për tokën, bahçen, kopshtin, arën, dheun, atdheun e mëmëdheun. Artoni është hero, atdhetar, patriot, prandaj urgjentisht Qeveria e Kosovës, Komuna e Gjilanit, Drejtoria e Bujqësisë, t’i çojnë mjete financiare e ta kompensojnë për dëmet nga vërshimet. Edhe në kohëra më të këqija, kanë ekzistuar mjete teknologjike për t’i shpëtuar bujqit e fermerët nga dëmet. Pyesni më të moshuarit, se si para disa dekadave, edhe nën okupim, ka pasur disa raketa, që lëshoheshin për të shpërndarë retë dhe për ta parandaluar e kontrolluar rënien e breshërit, dhe shumë njerëz me paragjykim, bënin hajgare me ta: “Po ndërhyni me raketa, në punë të Zotit”! Pse? Sepse ekziston sot teknologjia kudo në botë, e mund të bëhet edhe në Kosovë, që të shpërndahen retë, ku dhe kur është e mundshme, e të mos dëmtohen bujqit e blegtorët. Pogragja e Sllubica, duhen të ndihmohen edhe nga Drejtoria për Shërbime Publike, por edhe nga ajo e Ministrisë së Mjedisit, për rregullimin e shtratit të lumit të fshatit, në mënyrë që të mos ndodhë çdo të tretën dekadë, të ketë vërshime e të dëmtohen banorët, bujqit e blegtorët si Artoni. Lumi e çon fshatin në këmbë dhe më pas, nxit migrimin lokal e ndërkombëtar. Artonit duhet t’i dalim në përkrahje. Është punëtor. Bujk e blegtor. Atdhetar.