Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për sot mot të nxehtë dhe temperatura deri në 37 gradë Celsius, ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rekomandon qytetarët që t’i shmangen ekspozimit të diellit nga ora 10:00-17:00, sidomos të moshuarit me sëmundje të zemrës dhe me diabet.
IKSHPK po ashtu thekon se është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës.
Lexoni të plotë rekomandimet e IKSHPK-së:
Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insuficience renale.
Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:
Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelëta;
Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;