SHKRUAN: DRITON SMAKAJ
E kam kritikuar Albinin qysh para shumë vitesh për metodat e tij për të fituar pushtetin. Kohëve të fundit, shumë miq të mi real e virtual, përkrahës të VV-së, më shkruanin që po e kritikoj pa argumente.
Për t’u sqaruar me miqtë e mi, bëra një shkrim ‘Pse i kam kcye n’qafë Albinit?’.Këtë shkrim nuk ua kam dërgua mediave, e kanë marr nga muri im në facebook pa më pyetur. Pra, meqë të gjitha shkrimet e mia janë publike, mediat kanë të drejtë t’i publikojnë.
Shumë nga miqtë që e përkrahin Albinin, posa kanë lexuar shkrimin, më kanë mirëkuptuar për kritikën. Edhe janë pajtuar në shumë pika të saj.Megjithatë, nga militantët mora sharje e nënçmime të shumta. Krejt në rregull kjo, demokracia lejon shumë gjëra. Unë ndjehem një militant i pakompromis i lirisë së fjalës. Edhe pse nuk pajtohem aspak me atë që më thoni, e mbroj me fanatizëm atë të drejtë tuajën që ta thoni.E duke qenë një qytetar i lirë i botës, e kundërshtoj deri në Hënë HIPOKRIZINË në politikë, e sidomos kur hipokrizia bëhet platformë politike.Edhe jo, jo, jo. Jo kurrë për jetë nuk pajtohem me këtë qasjen e shumë intelektualëve që më komentojnë: “Nëse nuk je me Albinin, je me hajnat”.Nëse ky shantazh kaq i ultë qenka ba rregull për të përkrahur një parti politike, atëherë deklarohem haptas që në një rast kaq specifik, jam me hajnat.Nuk ia falë askujt në këtë botë lirinë time për të gjykuar se kush është hajn e kush është njeri i mirë. Nuk pajtohem në asnjë rrethanë të ndahen njerëzit në vegla dhe armiq.Nuk pajtohem me HIPOKRIZINË si normë për të bërë politikë. Është e turpshme të mbjellet në një shoqëri të lirë një ideologji që ndanë njerëzit në hajna në njërën anë dhe në të mençur e engjuj në anën tjetër.Hajni ka adresë dhe në momentin që i thua dikujt hajn, duhesh me shkua me një kerr dokumente në gjykatë.Po të isha unë në politikë, në atë moment që deklarohesh publikisht që unë qenkam hajn, kam me ardhë me të marr për dore edhe kemi me shkue bashkë në Gjykatë. Ose ke me dëshmue që jam hajn, e unë kam me shkue në burg, ose ke me bind gjykatësin që je shpifës dhe mashtrues e ke me shkue ti në burg. Rrugë të mesme këtu nuk ka.Korrupsioni në sistem, është tjetër temë. Kjo zgjidhet me reformën në drejtësi, e jo duke akuzuar çdo rival në politikë si hajn.
Me këtë qasje vetëm përplasje dhe tension shoqëror krijohet. Në të gjitha vendet e botës ka korrupcion në sistem, por luftohet nga Prokuroria dhe Gjyqësia. Nuk është detyrë e politikanëve me akuzua pa fakte konkrete dhe duke përgjithësua se kush nuk është me mua, është hajn. Kjo është shantazhë tepër e ultë dhe e minon në themel demokracinë.Partia e Albinit i ngjanë sekteve fetare. Shko ku të duash nëpër botë, bëj çfarë të duash, eja vëje dorën mbi Kur’an apo mbi Bibël edhe u bëre një besimtar i mirë. Zoti është i madh dhe ai falë robin e vet.Vetëm shikoni shumicën e njerëzve rreth Albinit, vijnë nga Partitë e Hajnave. Sa ishin atje duhet të kenë qenë hajna, ndërsa sapo kanë hyrë në VV, janë bërë pa mëkate. Për Albinin kjo nuk përbën kurfarë problemi, përderisa këta dalin dhe e shajnë partinë nga kanë ardhur.Çfarë qenka parimore në këtë mes? Çfarë morali ka kjo qasje? Çka ka diçka të njerëzishme në këtë politikbërje? Mbledh njerëzit nga Partitë e Hajnave dhe yshti ata përpara t’i shajnë bashkëpartiakët e vet nën siglën e një partie tjetër.Ndërsa në anën tjetër, kontributdhënësit më të mëdhenj të VV-së, që i ndihmuan Albinit ta fitojë Prishtinën, kur u ngopen me Mbinjeriun e Niçes dhe dolën nga VV-ja, Albini para kamerave bëri një tallje të ultë, në vend që t’i falenderonte për rritjen e VV-së me dhjetëra mijëra votues. Mes këtyre që kanë ikur nga Albini, ka pasur njerëz që edhe asfaltin e kanë përqafuar për dashurinë ndaj VV-së. Ndërsa Albini shtoi para kamerave: ‘rrini bre. Jo valla spo rrimë. Rrini bre. Jo valla jo. Ani shkoni pra’ edhe bëri një zgërdhirje të trishtë nënçmuese. Një njeri parimor do të kishte bërë një koment njerëzor: ‘Nuk u pajtuam në koncept dhe në demokraci është sëcili nga ne i lirë të zgjedh për rrugën e vet’. Kjo do të kishte qenë një qasje njerëzore, një respekt ndaj njeriut.Vetëm Mbinjeriu i Niçes din të ndërton realitete të tilla politike.Një politikë me një platformë kaq të ultë, është politikë e poshtër dhe nuk sjell asnjë ndryshim në vend. Përveç se na çon në një kaos pa adresë.Politikanët e dinë mirë që njerëzit besojnë në realitete të imagjinuara. Është e vërtetuar tashmë shkencërisht që njerëzit shumë lehtë bëhen bashkë rreth një realiteti imagjinar, e që atyre u pëlqen se qysh duhet me qenë ai realitet. Edhe pse nuk ka asgjë konkrete, ata duan të besojnë dhe ndjekin liderin e tyre për atë kauzë. Kjo ka ndodhë në tërë historinë e sapiensit.Është shumë interesant, e vërtetuar shkencërisht, që i vetmi dallim mes shimpanzes dhe sapiensit (nga aspekti i mendjes) është fakti që sapiensi beson në realitetin imagjinar.Për shembull, nëse një shimpanzeje që e ka një banane në dorë, shkon edhe ia kërkon atë banane duke i premtuar që pas dhjetë ditësh do t’i japësh 20 banane tjera, atëherë shimpanza nuk e han këtë fore, por e han bananen që e ka në dorë.Thjeshtë nuk ta beson realitetin imagjinar që ia ofron.Tek sapiensi, është shumë e natyrshme të besohet në realitete imagjinare dhe falë këtij kapaciteti në trurin e sapiensit, kemi arritur të kemi organizime komplekse në grupe shoqërore.Pra, shumica e politikanëve edhe të kohës së sotme, e shfrytëzojnë këtë element në trurin e sapiensit për qëllimet e tyre fort të ngushta personale. I yshtin anëtarët e vet që ndajnë të njëjtin besim imagjinar për të bërë edhe gjëra tepër të ulta për të arritur qëllimin.Andaj shoqëritë moderne, kanë ligje që kufizojnë metodat dhe absolutisht janë të ndalueshme me ligj shpifjet, e poashtu janë të ndalueshme përgjithësimet ku sëcili që është në anën tjetër të konkurrencës politike të quhet hajn, kriminel e tradhtar. Të ndërtosh një realitet imagjinar të tillë, është primitivizëm deri në kthim në kohën e neandertalit.Për rreth dy dekada Mbinjeriu i Niçes nuk ka lënë proces pa kundërshtuar dhe sëcili nga ato procese dolën të jenë të mira për Shtetin e Kosovës. Realiteti i tij imagjinar ishte veç një fantazmë prej letre.E mbolli idenë se që 20 vite gjithçka është shkatërruar në vend. E mbolli humbjen e shpresës tek rinia, që nga ajo frikë e pashpresë, se u fundos bota në Kosovë, të rinjtë morën rrugët drejt Europës. Nuk pranonin pothuajse në asnjë palë zgjedhje rezultatin duke e quajtur sistemin të korruptuar e votat e vjedhura. Gjithçka në Kosovë ishte e dështuar, e shkatërruar për toke.Pas 20 viteve, BOOM, fitoi. Urrah Urrah! U kthye shpresa e humbur. U kthye parajsa në Kosovë. Edhe çka ndodhi? 4 muaj negociata për një QEVERI që zgjati 50 ditë. Dhe kush e rrëzoi Qeverinë? Mbinjeriu i Niçes me dorën e vet. Pa pikë turpi në mes të krizës me një virus vdekjeprurës. Çka dëshmoi si Pushtetar? Aftësinë për t’u shfaqur një viktimë para popullit, se gjoja të gjithë politikanët po më urrejnë se jam i mençur, edhe pse unë jam për popull.Krijoi një tjetër realitet imagjinar për të ndërtuar mitin e Mbinjeriut të Niçes.Nga Kryeministër u shëndrrua në viktimë politike. U zgjodh Kryeministër me 66 vota dhe u rrëzua me 82. Edhe ky numër votash për rrëzim nuk i bëri aspak përshtypje. Sepse mbinjeriu i Niçes nuk i konsideron vota ato që vijnë nga njerëzit.Sapo e bëri Qeverinë, pas takimeve të gjata të marrëveshjeve për mosmarrëveshje me partnerin e koalicionit, pa pritmas erdhi coronavirusi dhe doli para kamerave për të menaxhuar situatën, e çka tha para qytetarëve?“Qytetarë të nderuar,Shteti është në shërbimin tuaj. Personeli i shëndetësisë komplet në detyrë. Policia e Kosovës në shërbim të qytetarëve. Ushtria e Kosovës e gatshme të ndihmojë në çdo situatë. Ekonomia e Kosovës stabile dhe e qëndrueshme. Sistemi bankar i përkryer. Ministria e Transfereve po i shpërndan me kohë mjetet monetare për të gjithë qytetarët në nevojë” (parafrazim).Ja pse nuk e duroj dot si njeri i lirë i kësaj bote HIPOKRIZINË.A ka dhënë ky njeri ndonjë kontribut në këtë Shtet që tash e lavdëron në superlativ?Jo. Jo. Jo. Kontributi i tij është një ZERO e madhe.Përkundrazi ka qenë kundërshtuesi më i madh i këtij Shteti duke u shitur patriot i madh për BASHKIM KOMBËTAR, i cili sapo u ul në karrigën e Kryeministrit e hudhi bashkimin kombëtar si ide në shportën e historisë. Dhe shkoi deri në Tiranë për të këputur marrëdhëniet meKryeministrin e Shtetit MËMË. Në vend të bashkimit, bëri një mur politik. Nga takimi i tyre dolën ca foto të ngrysura sikur të ishin takuar në funeralin e bashkimit të kombit.Ndërsa në anën tjetër, menjëherë filloi dhe e madhëroi Shtetin e Kosovës dhe flamurin lara lara, të cilin Shtet me vite të tëra as nuk e kishte njohur.Të heqesh dorë aq lehtë nga BASHKIMI KOMBËTAR sikur të ishte një fluskë bore dhe të ngulësh dhëmbët e ujkut kundër Amerikës për një taksë mallrash, është një nga politikat më budallica që një Kryeministër i sapo emëruar mund ta bënte. E bëri TAKSËN dhe RECIPROCITETIN të duket njëmijë herë më e rëndësishme se sa bashkimi i kombit.Të jesh Kryeministër i Kosovës sot dhe të mos bësh kompromis me Amerikën për një politikë tregtie në rajon, apo edhe një politikë më të gjërë ku gërshëtohen interesat Kosovë – SHBA, është sikur të kesh kokën nën gijotinë dhe të besosh që konopi e ka një nyje diku e nuk do të ma presë kokën kur të bie. Një politikë të tillë kaq iracionale, mundet ta bëjë vetëm një inxhinier që është i dashuruar në numrin imagjinar.Pyetja është cili nga realitetet imagjinare të Albinit janë të vërteta? Ai e din sigurisht, por mbështetësit e tij nuk e dinë. Ata veç e duan me zemër.Po të ishte shkatërruar Kosova në 20 vite, siç e shihte në realitetin e tij imagjinar Mbinjeriu i Niçes, atëherë asnjë nga deklaratat e tij superlative për Shtetin e Kosovës si Kryeministër nuk do të qëndronin. Ai në situatën me coronavirus, do të kishte dalë para kamerave me këto fjalë:“Qytetarë të dashur,Ju kërkoj falje që sapo kam marr Qeverinë dhe nuk mundem të ju ndihmoj. Nuk kemi personel shëndetësor, nuk kemi polici, nuk kemi ushtri, nuk kemi ekonomi, nuk kemi sistem bankar, nuk kemi buxhet dhe nuk kemi mjete monetare për njerëzit në nevojë.”Këto fjalë do të kishin qenë reale për një Shtet që për 20 vite rresht është vjedhur nga hajnat dhe është shkatërruar me themel.Ja pra pse nuk entuziazmohem dot me Mbinjeriun e Niçes.Ose ishte shtet i shkatërruar e i vjedhur, ose është ky shtet kaq funksional në 50 ditë qeverisje.Nuk mund të jenë këto dy realitete në të njëjtën kohë.Është detyrë e tij të dali para popullit dhe të ua shpjegojë atyre cila është e vërteta. Ajo që ka thënë 20 vite rresht si opozitar, apo kjo e vërteta e një Shteti që funksionon për mrekulli dhe me lëvdata deri në superlativ ku ai ishte Kryeministër për 50 ditë.Mos të na thotë që për 50 ditë me hokus-pokus gjithçka u shëndrrua në mrekulli. Sepse sigurisht dikush edhe mundet të besojë. E pastaj e ka problem të na bind për të kundërtën.Të kemi një SHTET që është ky që është, ka shumë sakrificë e shumë kontribut të mijëra e mijëra njerëzve. Edhe bindu o i nderuar që nuk janë të gjithë hajna.Nuk bëhet thirrje për mos-shpresë nëse nuk je vet i pari i vendit. Është çmendi ajo punë.Kur isha vetëm 19 vjeç, e kam pa me sytë e mi çka do të thotë mos me pasë shpresë për jetë. Duke qenë i rrethuar me ushtarë të plagosur, më është dashur të zgjedh mes jetës dhe vdekjes. Këtë tregim kurrë nuk e kam shpjeguar publikisht. Po më vie inat që pas kaq shumë vitesh po ndjehem ta ndaj një kujtim që e kam mbajtur veç për vete, të ta kujtoj se çka është humbja e shpresës dhe kthimi i shpresës në një moment të vetëm, për të jetuar me nderë.Duke qenë të rrethuar nga forcat e njësisë speciale serbe, në malet e Qyqavicës, axha im i plagosur rënd në dorë e në këmbë, e heq revolën dhe ma vë mua në lulë të ballit. “Ik shko me të rinjtë tjerë dhe shpëto veten ose po të vras unë” më tha me një pamje plot tension dhe emocion.E kisha të hapur një anë malore dhe mund ta bëja. Por, edhe pse plumbat çanin drunjtë mbi kokat tona dhe ndjenja e vdekjes më kishte përshkuar trupin, i kam thënë axhës “Jo. O jetojmë o vdesim të dytë”.Kemi lëvizur mes shkurreve dhe kemi shpëtuar. Por, nuk përfundon vetëm aty ky kujtim. Katër ditë e gjysmë kemi jetuar pa ushqime, veç me ujë të krojeve që ishin disa kilometra larg.Këtë kujtim nuk e kam vjedhur. E as nuk do ia shitja askujt për 200 milionë dollar. Sepse nuk e kthej dot kohën mbrapa me para, dhe nuk e blen dot një kujtim si ky as me miliona euro. I kam me dhjetëra e dhjetëra kujtime tjera të luftës, që nuk do pranoja t’i heq nga memoria ime as për dhjetëfshin e buxhetit të Kosovës. E nuk e ke idenë sa kujtime me peshë historike i ka Daut Haradinaj që ju i kërkoni të mos mburret që ka luftua. E nuk e ke as idenë sa burra të ndershëm janë komplet jashtë politikës e që kanë bërë shumë për ATDHEUN, dhe nuk duan ta dinë fare që ju dhe politikanët tjerë ekzistoni.Ja pse nuk ndahen njerëzit në njërën anë me hajnat e në anën tjetër engjujt e të mençurit. Ja pse nuk ndahen njerëzit në vegla dhe armiq për një karrige të Pushtetit. Është çmendi ta vësh vetëveten para një populli të lirë si SHPËTIMTAR, si Mbinjeriu që zgjidh çdo gjë, dhe din gjithçka, e gjykon këdo për çdo gjë.Në momentin që del si shpëtimtar, të tjerët i konsideron viktima.Ne kemi shpëtuar moti i nderuar. Ishte koha për sëcilin nga NE të shpëtojmë njëri-tjetrin dhe vendin. Sot jemi qytetarë të lirë.Tash shpëtojmë sëbashku nëse ndërtojmë demokracinë me vlerat europiane. Bëjmë ZGJEDHJE veç njëherë në katër vite, e jo çdo 5 muaj fitnes politik me rrëzime e çuarje. Nuk shpëtojmë duke rrëzuar e çuar QEVERI sikur të ishin institucionet tona në stërvitje karateje. Nuk duam shpëtimtarë. Duam politikanë të arsyeshëm. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak.T’i thuash vetes SOCIALDEMOKRAT dhe të ofrosh vazhdimisht një politikë që prodhon kriza, është paradoksale. Socialdemokracia është kompromis për mirëqënien e përbashkët. Të thoni që jam për popullin, e në anën tjetër të prodhoni kriza politike në vazhdimësi, është absurde dhe paradoksale njikohësisht. Krizat nuk sjellin asnjë të mirë për popullin. Krizat vetëm rehatojnë politikanët në të zezat e tyre.Socialdemokracia e nxjerr rininë komplet jashtë politikës. Në një socialdemokraci, rinia mirren me artin dhe kulturën. Ata bëjnë gara për poezinë më të mirë, pikturën më të bukur, bëjnë garë për këngën, për librin më të mirë, shkojnë nëpër muze e në teatër, shkojnë në koncerte e në kinema, organizohen në grupe për të pastruar qytetin vullnetarisht, pastrojnë lumenjtë dhe parqet kombëtare. Në socialdemokraci rinia mirret me vlera shoqërore e jo me politikë.Ndërsa, çka shohim nga rinia jonë aktualisht?“Vepra të bukura fotografish” me liderët e tyre të dashur politikë. “Vepra Kapitale” të artit ku lideri i tyre duket në foto me një kafshë të xhunglës mbrapa që përçon mesazhin se lideri im do t’i hajë të gjithë liderët tjerë. Një “vepër kapitale” e artit me një kafshë predatore që han të tjerët për të mbijetuar. Vërtetë civilizuese rinia jonë në këtë rreth të socialdemokracisë. E trishtë deri në dhembje të shpirtit që në rininë tonë këto duken të vetmet vepra arti. Edhe më e trishtë që një foto e tillë merr njëzetmijë pëlqime, ndërsa një poezi e Dritero Agollit nuk lexohet as nga dyqind veta.Pastaj “vepra kapitale” arti, me BABËN e me BEBAT ku BABA i kombit ua jep sisën BEBAVE të kombit. Çfarë civilizimi i rinisë sonë me politikat e BABAVE dhe BEBAVE. Një gërrdi ‘sui generis’.
A është kjo socialdemokracia që duam t’i ofrojmë vendit? Dhe nëse po, sa dekada duhet të kalojnë duke jetuar mes krizave? Nëse socialdemokracia arrin tek ne me kriza pafund, atëherë vaftë në djallë me të gjitha të mirat e saj.Kaq pak ditë ishe Kryeministër dhe në një situatë të vetme, nga paranoja e pushtetit filluat të na flisni për PUÇE e grushtshtet. E dini në cilat vende të botës ende flitet për PUÇE?Ta kujtoj, në Marok, Egjipt, Turqi e vendet tjera monarkike të lindjes. Ma thuaj në cilin vend të Europës në 50 vitet e fundit keni dëgjuar për PUÇE? Nuk ka.Vetëm mendjet paranoike për pushtet, mendojnë PUÇIN. Edhe ku të bëhet PUÇ? Në një vend si Kosova ku siguria e vendit bëhet nga KFOR. Puç ndaj KFOR dhe NATO-s?!?!?!
E kuptoni që siç thonë anglezët “your mindset” është luftë dhe konflikt. Diçka që nuk ka lidhje me socialdemokracinë.Duhet t’i bëni puç vetëvetës për t’i ndrruar kursin e konfrontimit dhe të gjeni rrugën e kompromisit të socialdemokracisë.Edhe për fund, kjo vlenë për sëcilin politikan. Kur të thirreni në emrin e popullit, të jeni më të përmbajtur. Sepse gjysma e popullit as që ju ka votuar ndonjëherë. Gjysma e popullit as që dalin të humbin kohën rreth një orë saherë që bëni zgjedhje, për të lëshuar një votë në kutinë e votimit. Sepse edhe zgjedhjet janë bërë të mërzitshme, të njëjtat ftyra nëpër pllakate të mëdha, të njëjtat fjalime me gënjeshtra pafund, të njëjtat sharje për rivalët në politikë. Populli është ngopur me broçkullat e juaja. Andaj gjysma as nuk votojnë e as nuk ju shohin në televizor. E ndrrojnë kanalin sapo dilni aty.Pra gjysmës së popullit nuk ia ndinë bira e veshit që ju jeni politikanë. Ose thënë ndryshe gjysmës së popullit nuk ia ndinë fare që ju ekzistoni. Andaj, kur krenoheni me aq pompozitet në emër të popullit, kujtojeni që e vërteta është veç gjysma e popullit. Ose më saktë veç ajo përqindja që ju ka votua. Nuk keni legjitimitet të thirreni me aq vetëbesim në popull. Edhe ta dini që marrëzitë më të mëdha në historinë e njerëzimit, janë bërë në emër të popullit. Por, mgjithatë ato marrëzi janë bërë nga politikanët, jo nga populli.
Për qytetarët që duan ta jetojnë jetën me arsye, e kam veç një URIM. Mos paçi kurrë nevojë në jetë të kërkoni shpëtim nga ndonjë politikan dhe qofshi të lirë për jetë, sidomos nga ndotja politike.Në pyetjen ‘kush hamamin je ti me kritiku Albinin?’Përgjigjeja ime është e thjeshtë.Unë jam askushi. Një qytetar i lirë i botës dhe që hyj në atë gjysmën e popullit që nuk kam votuar në zgjedhjet e fundit.P.S. Fjala ‘hamam’ është fjalë turko-arabe dhe nënkupton banjo. Pyetja shqip kishte me qenë ‘Çfarë banjo je ti me kritiku Albinin?’ ?