Gjilan, 2 dhjetor 2016 – Komuna e Gjilanit ka mbajtur mbrëmë debatin publik të radhës në fshatin Dobërçan, ku banorët e këtij fshati kanë vlerësuar lartë kryesisht subvencionet që janë dhënë në sektorin e bujqësisë dhe investimet në infrastrukturë.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se është tejet i rëndësishëm fakti që gjatë tre vjetëve kanë arritur ta bëjnë depolitizimin e subvencioneve në bujqësinë.
“Kjo është meritë e kryetarit Lutfi Haziri”, tha Ramadani.
Me këtë konstatim është pajtuar edhe qytetari i Dobërçanit, Bujari Haziri.
“Pajtohem plotësisht që është depolitizuar bujqësia dhe jam shumë i kënaqur për subvencionet e mëdha, por duhet ta vazhdoni projektin e rrugëve të arave edhe në fshatin tonë”, ka thënë Haziri.
Në këtë takim kanë paraqitur kërkesat dhe vërejtjet e tyre, që kryesisht ishin infrastrukturore, edhe Shaban Halimi, Jetullah Bislimi, Adem Sopi, Sadat Salihu, etj.
E, drejtori i Administratës, Nazim Gagica, i ka garantuar qytetarët se kërkesat e tyre do t’i bartin tek kryetari i Komunës dhe resorët përkatës, në mënyrë që të futen në planifikim për vitin 2017.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, tha se Komuna e Gjilanit në mënyrë permanente po i mbron interest e bizneseve, duke krijuar lehtësira në të bërit biznes dhe duke stimuluar sektorin privat, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja pune. Ai konfirmoi se Komuna e ka në plan lirimin nga taksa komunale për markete, ordinanca mjekësore, e restorante, pro jo edhe për motelet.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, ka pohuar se kanë rritur numrin e mjekëve në mbarë territorin e komunës, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve me përmes tre ekipeve në terren, të cilët po kujdesen për mbrojtjen e fëmijës, nënës dhe të moshuarve.
Në këtë takim ka folur asambleisti Ibish Ibishi, i cili vije nga fshati Dobërçan, duke falënderuar përfaqësuesit e Komunës për interesimin dhe kujdesin në investime.
“Gjatë këtyre tre vjetëve, Komuna ka realizuar shumë projekte në Dobërçan, por edhe në tërë territorin e komunës. Krahasuar me lokalitetet tjera, ne jemi shumë më mirë. Duhet ta themi se barrë e madhe kanë qene borxhet e trashëguara, ku mbi 3 milionë janë shlyer nga kjo qeverisje”, ka thnë Ibishi.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit gjatë këtij viti ka mbajtur 25 debate publike, përfshirë edhe ato për buxhetin, ndërkaq takimi i madh publik, që është i fundit për këtë vit, mbahet më 5 dhjetor, në ora 11:00, në teatrin e qytetit.