Mikrobiologu Lul Raka i është përgjigjur disa pyetjeve lidhur me variantin Delta të COVID-19. Ai ka treguar se kush preket më së shumti nga ky variant, a veprojnë vaksinat kundër këtij varianti, a mund të ketë valë të reja për shkak të këtij varianti, derisa ka folur edhe për sigurinë e vaksinaveqë po jepen në Kosovë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Raka ka treguar se personat që preken më së shumti nga ky variant janë personat e pavaksinuar.
Ai ka treguar edhe për efikasitetin e vaksinës kundër këtij varianti.
“Po. Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë. Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 60-80% pas të dytës”, ka shkruar Raka.
Raka ka treguar se edhe Kosova mund të preket nga një valë e re e COVID-19, shkaku i këtij varianti.
“Po, mundet. Por, intensiteti i shfaqjes së rasteve të reja do të varet drejtpërdrejtë nga vaksinimi, i cili ndikon edhe në vdekshmëri edhe në hospitalizim. Vaksinimi masiv luan rolin kryesor që rastet e infektimit të mbahen në nivele të menaxhueshme”, ka thënë Raka.
Në fund, Raka ka folur edhe për sigurinë e vaksinave që po jepen në Kosovë. Ai ka thënë se Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave.
Raka i ka sugjeruar qytetarët që ta marrin cilëndo vaksinë që është në dispozicion.
“PO. I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneka dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.
Mos rrezikoni jetën Tuaj dhe të afërmve me teori konspirative e dezinformata për vaksinat dhe afatin e skadimit nga askush”, ka shkruar Raka./Gazeta Express
Postimi i plotë i Rakës:
VARIANTIN DELTA E MPOSHTIM VETËM ME VAKSINIM!
Kur u zbulua varianti Delta?
Ky variant u zbulua në Indi, në Dhjetor të vitit 2020. Tashmë, është raportuar në afër 100 shtete të botës dhe është bërë dominant në Indi, Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe Rusi.
A përhapet më lehtë se variantet e tjera?
PO. Shumë më shpejt!
Rezultatet nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë që varianti Delta është 55% më i transmetueshëm se sa varianti Alfa (varianti britanik).
Por, rritja e rasteve në Britani nuk është përcjellë me rritjen e hospitalizimeve dhe vdekjeve, pikërisht për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit. Në Qershor shkalla e hospitalizimit ishte 2 persona të hospitalizuar në 100.000 banorë. Gjatë valës paraprake në dimër me variantin britanik, kjo shifër ishte 36 pacientë në 100.000 banorë.
Kush preket më së shumti nga ky variant?
Më së shumti preken personat e pavaksinuar. Në SHBA, nga 10.000 rastet e vdekjeve të raportuara në muajin Qershor 2021, gjithsejt 99.2% e personave të vdekur ishin të pavaksinuar!
A veprojnë vaksinat kundër këtij varianti?
Po. Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë.
Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 60-80% pas të dytës.
A mund të ketë valë të reja për shkak të këtij varianti?
Po. Sipas ECDC, deri në fund të Gushtit në Evropë varianti Delta do të përbëjë 90% të të gjitha izolateve të SARS-CoV-2.
Të rinjtë e moshës nën 25 vjeç dhe personat e moshës 25-49 vjeç do të jenë grupi me numrin më të madh të rasteve të sëmundjes.
A mund të preket edhe Kosova me valë të re?
PO, mundet. Por, intensiteti i shfaqjes së rasteve të reja do të varet drejtpërdrejtë nga vaksinimi, i cili ndikon edhe në vdekshmëri edhe në hospitalizim.
Vaksinimi masiv luan rolin kryesor që rastet e infektimit të mbahen në nivele të menaxhueshme.
Çka duhet të bëjmë për ta parandaluar sëmundjen?
VAKSINOHU MENJËHERË!
Vaksinimi i plotë i të gjitha grupeve të rrezikuara duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur për të zvogëluar rrezikun e hospitalizmit dhe vdekjeve.
Për ata që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, rekomandohet që sa më shpejt ta marrin dozën e dytë të vaksinës.
A janë të sigurta vaksinat në Kosovë?
PO. I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneka dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.
Mos rrezikoni jetën Tuaj dhe të afërmve me teori konspirative e dezinformata për vaksinat dhe afatin e skadimit nga askush.
Cilën vaksinë duhet ta marrim?
Cilëndo që e keni në dispozicion: Astra-Zeneca ose Pfizer. Të dyjat janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë!
Çka mund të ndodh nëse nuk vaksinohemi?
Na rriten rastet dhe mund të na përsëritet historia me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturës, artit e sportit!
VAKSINA SHPËTON JETË!
VAKSINA PARANDALON VDEKJEN DHE HOSPITALIZIMIN; NA KTHEN NË PUNË, SHKOLLË, TEATËR, STADIUM E DASMË.
PRANDAJ, VAKSINOHU, MOS MENDO DY HERË!