Tenistja e re, por shumë e talentuar, Linea Bajraliu, e bija e ish-volejbollistit të KV Drita, Driton Bajraliut, po shkëlqen në Suedi. Së fundi ajo ka fituar në një turne për kategori të reja në këtë shtet skandinav, sikurse që është ftuar në evropianin për kategori të reja, si pjesë e Suedisë.
Sukseset e saja po e bëjnë krenarë babain e saj, i cili e përcjellë atë në cdo hap në karrierë, kurse ekspertët suedezë të tenisit e shohin atë si një teniste me karrierë të ndritshme. Linea vazhdimisht punon me zell e përkushtim, me të vetmin qëllim që të arrijë majat e tenisit.
Kështu ajo së fundi ka ngadhënjyer në një turne të madh në Suedi për moshat deri në 15 vjeçe edhe atë në singël dhe në dubël.
“Ky turne mbahet çdo vit dhe ka kualifikime prej secilit rajon te Suedisë (7 rajone), të njëjtin sukses e ka arrit edhe ne vitin 2018 ku ka qenë kampione deri në moshën 11 vjeçe edhe aty për singel & dubël”, ka theksuar Driton Bajraliu, baba i Lineas, e cila po përgatitet për sfidën e radhës, për Kampionatin Evropian U-14 (individual), ku do ta përfaqësojë Suedinë.
“Krenar me sukseset e Lineas, pas punës së palodhshme që bën Linea në çdo stërvitje dhe është kënaqësi të shikosh edhe sukseset që nuk po i mungojnë. Shpresoj të ketë një karrierë pa lëndime dhe me plot suksese”, thotë Dritoni, derisa edhe Linea Bajraliu është shprehur të jetë shumë e kënaqur me suksesin e arritur në këtë turne, duke thënë se ky do të jetë motiv shtesë për një paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Evropian./kryelajmi