Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, tash e një kohë po përflitet si kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Ferizajt, raporton Gazeta Express.
Për Ferizajn, ai ka shkruar sot përmes një shkrimi në Facebook, derisa ka bërë akuza edhe për kandidatin e PDK-së, e kryetarin aktual të kësaj komune, Agim Aliun.
Sipas tij, PDK-ja duhet të hap krahun… “Dosjet e investimeve tuaja po shkojnë në prokurori një nga një, sepse betoni dhe asfalti juaj po del se ka kushtuar disa herë më shumë se sa projekti fillestar”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Mjaft vodhët me Ferizajin.
Subjekti që më së shumti e ka vjedhur Kosovën dhe Ferizajin, PDK-ja, po ankohen tash pse qeveria Kurti po ua ndal burimet e vjedhjes.
O zotërinj të PDK-së ka ardhë koha që ta hapni krahun, dosjet e investimeve tuaja po shkojne në prokurori një nga një, sepse betoni dhe asfalti juaj po del se ka kushtuar disa herë më shumë se sa projekti fillestar. Raporti i Auditorit për Komunën e Ferizajit tregon më së miri çfarë keni ditur të bëni ju, duke vjedhur haptazi dhe në prapaskenë. Ferizaji, komuna që i kontribuon shumë ekonomisë së Kosovës, me qeverisjen tuaj as ujë të pijes nuk ka, shërbimi shëndetësor është për tokë, dhe mbeturinat e ndërtimet pa plan po na e prishin natyrën tonë të mrekullueshme. Kanalizimet dhe ujrat e zeza po shprazen nëpër ara duke u bërë rrezik për shëndetin tonë, ndërsa shkollat e fëmijëve tanë jo që s’kanë laborator, po shpesh as toaletet nuk i kanë funksionale.
Kur të vendoset në krye të komunës një qeverisje që nuk vjedh, por punon, atëherë do të mund të flasim për investime dhe zhvillim të mirëfilltë në Ferizaj. Ferizaji nuk është pronë apo bastion i askujt. Ferizaji do të jetë komuna e të gjithëve!