Nga Daut Dauti
Në pjesën shqiptare, duke u nisur nga Struga e Tetova dhe duke kaluar nëpër Preshevë, Gjilan, Gjakovë e deri në Ulqin, nuk ka shqiptar apo organizatë shqiptare që i organizon koncert Goran Bregoviqit. Edhe sikur t’i organizonte, nuk shkon askush nga shqiptarët në këtë koncert. Kjo është për shkak se ky këngëtar është fashist dhe anti shqiptar i deklaruar, sikur që është edhe Emir Kosturica. Por, duket se nuk ndodhë kështu në Shqipëri ku perceptimet për këtë dukuri ndryshojnë. Krahasimi i konsumimit të mallrave serbe, që në fakt janë ushqime, me muzikën e Goran Bregoviqit, është tërësisht i pa vend. Ushqimi është domosdoshmëri kurse muzika argëtim dhe si e tillë – salltanat. Njeriu i uritur nuk pyet për origjinën e bukës. Por, pyet për origjinën dhe domethënien e muzikës. Ne shkojmë në koncert apo hyjmë në youtube për t’i dëgjuar këngët e preferuara kurse në sofër hamë atë që e gjejmë në të. Pra, në të parën (muzikën) zbatojmë parimin e seleksionimit kurse në të dytën (ushqimin), atë të domosdoshmërisë. Atë që ne e zgjedhim në muzikë, nuk është vetëm muzikë. Është ushqim shpirtëror që në vete përmban politikë, kulturë, traditë, histori, modernitet … Prandaj, dëshira për të dëgjuar të njëjtën muzikë flet për lidhjen që kanë njerëzit mes vete si grup dëgjuesish, por edhe për lidhjen me grupin muzikor që dëgjohet.Te shqiptarët që jetojnë nga Struga e deri në Ulqin, nuk ekziston dëshira për muzikën në fjalë. Arsyeja dihet. Shqiptarët e kësaj ane në fytyrën e Bregoviqit e shohin Millosheviqin, Mlladiqin e Karaxhiqin. E shohin vrasësin e tyre, gjegjësisht, kriminelin e luftës. Ky fakt përmban edhe një dëshpërim të madh me të kaluarën, e cila ka pasur përmasa të përgjakshme. Me këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me muzikën. Fjala është për reagimin ndaj muzikës, gëzimit, hidhërimit, argëtimit, sportit, kërcënimit, tragjedisë … që është i përbashkët. Kur një popull reagon njësoj në këto dukuri, ai popull quhet komb.Prandaj, kur fashistit Bregoviq i organizohet koncert në Tiranë dhe Korçë, shqiptarët e relacionit Strugë – Ulqin, kanë arsye të fortë që të hidhërohen. Hidhërimi i tyre shpërfaqë faktin se parimi i unitetit të kombit nuk paraqitet njësoj edhe në disa pjesë të Shqipërisë. Pra, ekziston frika se reagimi nuk është i një trupi organik. Refuzimi i shqiptarëve në ish-Jugosllavi që bëhet me krenari, është akceptim në Shqipëri. Pra, këtu kemi të bëjmë me pyetjen: pse nuk reagojmë njësoj ndaj një dukurie të njëjtë apo pse ‘ata’ nuk janë sikur ‘ne’ ose pse ajo që na hidhëron neve, i gëzon ata? Në prapavijë qëndron pyetja: a jemi të njëjtë? Apo edhe më thellë: a jemi një komb? Kjo është pyetje serioze.
Një pyetje serioze, a jemi i njëjti komb?
Ndani këtë artikull