Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar panel hetimor të mërkurën për të zbardhur rastin e përfshirjes së Prokurores Shemsije Asllani në skandalin e përgjimeve të publikuar nga shqip.com.Nëpërmjet një njoftimit për media, KPK ka njoftuar se kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Asllanit e ka bërë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.“Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në portalin “Shqip.com””, thuhet në njoftimin e KPK-së.Këshilli Prokurorial është zotuar se do ta trajtojë këtë kërkesë të Kryeprokurorit Munishi, duke themeluar panelin hetimor i cili është kompetent për të trajtuar shkeljet e pretenduara.Pjesë e Këshillit Prokurorial është edhe Kryeprokurori Aleksander Lumezi, i cili s’ka marrë pjesë të martën në shkarkimin e Dardan Nuhiut nga pozita e Shefit të Njësisë së Intelegjencës Financiare. Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar pas publikimit të përgjimeve ku i përfshirë në to është edhe gjyqtari Driton Muharremi. KGJK ka paralajmëruar se do të veprojnë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Procedurën Disiplinore të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.Ndërkohë, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se burime brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë konfirmuar se kanë autorizuar fillimin e hetimeve në lidhje me incizimet e publikuara gjatë javës së kaluar në mediat online, mbi dyshimet për keqpërdorim të pozitës nga ana e zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë dhe agjencive të pavarura.“Do të merren veprime hetimore kundër të gjithë personave të apostrofuar në incizimet e publikuara këto ditë në mediat online”, kanë bërë të ditur burimet e “Betimit për Drejtësi” brenda prokurorisë.Të premten e kaluar, më 30 korrik të vitit 2021, media online “Shqip.com” ka publikuar disa incizime, në të cilat sipas raportimit, përfshijnë disa zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani.Ndër të tjera, në këto incizime, përmendet edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku sipas raportimit, rezulton se ka qenë në shtëpinë e prokurores Shemsie Asllani me disa persona të tjerë, për të cilët ka foto dhe incizime. Kryeprokurorit Lumezi në bisedë i referohen si Leka.Në këto incizime përmendet edhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.Në lidhje me këto veprime hetimore të autorizuara për këta persona, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të bisedojë përmes telefonit me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, por ai nuk është përgjigjur. Ndërkaq, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, e kontaktuar përmes telefonit ka thënë se nuk ka njohuri rreth veprimeve të ndërmarra në këtë rast.“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe përmes kërkesave për informacion përmes postës elektronike nga Kryeprokurori Munishi dhe zëdhënësja Ulaj, por ata nuk janë përgjigjur.Ndërkohë, ministri Hekuran Murati përmes rrjetit social “facebook” ka njofttuar se pas këtyre incizimeve të publikuara është shkarkuar nga pozita Drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu. “Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, morri vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, thuhet në postimin e Muratit.Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur një konferencë për skandalin e përgjimeve ku të përfshirë janë zyrtarët e sistemit të drejtësisë dhe institucione tjera të Shtetit. Ajo ka thënë se është e çuditur se si nuk ka pasur reagim më të madh pas publikimit të këtyre përgjimeve derisa ka përmendur Vetingun si proces të pashmangshëm për të pastruar sistemin e drejtësisë.
Këshilli Prokurorial nis procedurat disiplinore ndaj Prokurores Shemsije Asllani e përfshirë në skandalin e përgjimeve
Ndani këtë artikull