“ Ditët e mërgatës” në Gjilan
EKSPOZITË TREDITORE E LIBRIT
Manifestimit të përvitshëm në Gjilan, të njohur tashmë me emërtimin “Ditët e Mërgatës”, të cilin nga fillimi e organizon Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, iu bashkua me një veprimtari letrare edhe Shtëpia e njohur botuese nga Gjilani, “Beqir Musliu”.
Në ambientet e Muzeut Etnografik të Gjilanit ( Ish Shkolla e Muzikës ), kjo Shtëpi botuese përmës Ars Clubit “Beqir Musliu, pasditen e djeshme më 9 gusht 2021, hapi një ekspozitë treditore të botimeve të veta, kryesisht, botime të viteve të fundit.
Ekspozitën e librit e shpalli të hapur editori i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu, Sabit Rrustemi, i cili mes tjerash tha se është nder për neve t’i bashkangjitemi këtij Manifestimi për mërgimtarët tanë dhe t’i paraqesim para tyre e për ta, botimet tona më të reja po edhe të këtyre dy viteve të shkuara.
Në këtë ekspozim treditor, para lexuesve dhe krijuesve gjilanas janë paraqitur mbi 70 botime letrare të këtyre tri viteve të fundit, të autorëve nga mbarë hapësira shqiptare, si Frederik Reshpja, Rexhep Elmazi, Ramadan Rexhepi, Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, Aziz Mustafa, Nexhat Rexha, Sadete Tërnava Osmani, Sherafedin Kadriu,Tonin Nikolli, Ajete Zogaj, Linditë Ramushi Dushku, Timo Mërkuri, Jonida Sheholli etj. Po nuk mungojnë as shkrimtar të huaj si Tomas Man, Giovani Pistoia etj.
Shtëpia botuese vetëm brenda këtij viti, përkundër sfidave dhe situatës së rëndë pandemike, vjen me 10 botime të këtij viti, derisa sipas editorit Rrustemi, në process botimi janë edhe pesë vepra të tjera.
Interesimi i lexuesve dhe në veçanti të mërgimtarëve, ishte në suaza të pritura, karshi mujve të nxehtë të kësaj vere dhe kohës së pushimeve. Ndërsa organizatori do ta mbajë të hapur edhe më 10 e 11 gush, kryesisht pasditeve nga ora 17:00 – 19:00, ku, të interesuarit mund ta vizitojnë dhe Muzeun Etnografik, i pari I këtij lloji në Gjilan e Anamoravë, i hapur kohë më parë.