Nga: Nijazi Idrizi
Është kërkuar vazhdimisht nga liderët ballkanas dhe ata shqiptarë, që gjatë marrjes së vendimeve strategjike, ti kenë parasysh pasojat që ato mund t’iu shkaktojnë interesave jetike të fuqive partnere të sigurisë globale dhe vet atyre. Kjo për faktin se Ballkani ka rëndësi gjeopolitike e gjeostrategjike dhe është përcaktuese edhe për të ardhmen e vet politike. Ai është i lidhur me Mesdheun, Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe Azinë Qendrore, dhe Evropën Qendrore, të cilat janë hapësira të interesave edhe të tyre. Atypari kalon rruga më e shkurtë e Evropës Perëndimore për në zonat e pasura me gaz e naftë të Azisë Qendrore dhe basenit Kaspik. Prandaj mu këtu përplasen interesat e SHBA-së, Evropës, Rusisë, Turqisë dhe Kinës. Rruga e dominimit në atë zonë fillon në Ballkan, edhe atë mu në Shqipëri.
Lidhur me këto interesa, faktori politik vendimmarrës shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, para arritjes së çdo lloj marrëveshje, (sidomos me shtetet ku ka disponim antiamerikan, antievropian dhe antishqiptar), duhet të jetë i vëmendshëm, sepse ShBA këto korridore i trasojnë nëpër shtetet proamerikane, si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Turqia, Greqia e tutje. Zotimi i deritashëm i këtyre shteteve është NATO dhe BE, por firmosja e kësaj marrëveshje ka nxjerr shumë dilema.
– Marrëveshja me emrin simpatik Open Ballkan, e firmosur në mes të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë është largim kryeneç nga Procesi i Berlinit i përmbyllur në marrëveshjen e Sofjes, ndërsa përqafimi në Shkup u bë në kurriz të Bosnjës, Malit të Zi e posaçërisht Kosovës, e cila u hoq me marifet nga barabarësia.
Ajo u arrit pa u shtjerrë debati me fqinjët të cilët u prunë para aktit të kryer, me metodën e njohur bolshevike “merre ose lere”. Atyre ua mbyllën portën para hundëve, me çka iu bë me dije se nëse trokasin në këtë portë, (pa Kosovën), janë të mirëseardhur.
– Nënshkrimi i ngutshëm i marrëveshjes, ka ngjall dyshime dhe dilema të cilat kanë shkaktuar debat herë herë të egër në opinion. Shkak i këtij debati u bë Serbia e cila mori rolin kryesor në këtë marrëveshje edhepse ajo me politikën e vet të deklaruar “në mes të Lindjes dhe Perëndimit” është shkaktarja e vonimit dhe bllokimit të integrimeve përfundimtar të Ballkanit në NATO dhe BE, i cili është prioritet dhe kusht për ruajtjen e paqes. Me këtë marrëveshje, u prish ekuilibri dhe në rrjetin serb ranë edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut, të cilat u ekspozuan edhe më qartë nga Rusia. Ballkani sërish u segmentua dhe u bë edhe më i pasigurt.
– Shteti i ri i Kosovës ka krijuar një ekuilibër të ri politik në rajon. Fqinjët të cilët e kanë pritur me dashamirësi lindjen e Republikës së Kosovës e panë me habi këtë marrëveshje, me të cilën Kosova u diferencua nga të vetët. Acarimi i raporteve të qëndrueshme me fqinjët strategjik mund të quhet më së paku havdallëk.
– Duket që tre oligarkët nga nomenklatura e vjetër komuniste, Vuçiq, Rama dhe Zaev, të frikësuar nga era a ndryshimit e cila i tronditi oligarkët fqinj, shpresën e gjetën në përqafimin e trefishtë, në rrugën për një mashtrim të ri, larg reformave të integrimit në BE. Ata e shtynë agonin e tyre edhe për pak kohë, por e bënë edhe më të pashmangshme.
– Forca të njohura dhe mediat e paguara, e shfrytëzuan këtë rast që ua dha Edi Rama, lideri (i dijshëm por egocentrik dhe arrogant), me deficit politik, i cili po këmbëngul të futet në histori, edhe pas dështimit me sloganin Rilindja dhe copëtimit të Kosovës, (për bashkimin kombëtar) me Vuçiqin dhe Thaçin. Ai tash po përpiqet që dhunshëm dhe me pazare ta arrij atë, duke i përçarë shqiptarët. Në debatin e rëndë, u shqyen plagët e pambyllura në të cilat kishte dorë vendimmarrja edhe e vet Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, si pjesë e qeverisë së kriminelit Sllobodan Milosheviq, i cili e tallte Kosovën duke u puthur me Edi Ramën e Zaevin, “me puthjen ruse të burrave në faqe”, ndërsa nga Korça për në Kosovë tashmë po ndihet aroma e birrës, bashkë me tingujt e këngës Kallashnikovë.
– Në Ballkan historia dëshmon se marrëveshjet janë me prapavijë politike dhe bëhen për hegjemoni. Edhe në sfondin e kësaj marrëveshje qëndron hegjemonia serbe, e cila jo vetëm që dëshiron ta anashkaloj “shtetin e rrejshëm të Kosovës”, por e kërkon edhe një port “të premtuar” nga Luftërat Ballkanike”, e ndoshta edhe tashti, nga vet Rama.
Në momentin kur ky shtet ta arrijë epërsi në shfrytëzimin e mundësive zhvillimore që ofron kjo ujdi, Serbia di të shtrojë kërkesa të papërballueshme dhe në çast do të shndërrohet në shtet homogjen. Në këtë rast nuk ka dyshim që Serbia do të jetë vendi që do ta dominoj këtë rajon. Një Ballkan i tillë, do të jetë mesazh i keq dhe rrezik për fqinjët tanë partner, Kroacinë, Malin e ZI, Bosnjën e madje edhe Bullgarinë, me të cilët garantohet paqja në Ballkan.
Kjo Marrëveshje nuk paraqet vullnetin e popujve të Ballkanit dhe si e tillë ajo do të dështoj. Nga ky dështim, do të jetë klasa politike e Shqipërisë ajo që do ta marr një mesazh të qartë, se duhet menjëherë ti ndërpres pazarllëqet në kurriz të Kosovës, dhe të vihet në funksion të jetësimit të Pavarësisë së saj.
Open Ballkan, “garë” për hegjemoni ”Autokratët e duan pushtetin për të projektuar suksese ose dështime spektakulare“! Ruchir Sharma, ekonomist
Ndani këtë artikull