Në komunën e Vitisë është përkujtuar mjeku i njohur i kësaj ane Doktor Feti Hetemi, me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij.
Në varrezat e qytetit janë bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek varri i mjekut që kishte humbur betejën me Covid-19 duke ndërruar jetë më 19 gusht të vitit 2020.
Më pas në Shtëpinë e Kulturës nën organizimin e familjes, është mbajtur një Akademi Përkujtimore kushtuar Hetemit, i cili ishte specialist i mjekësisë interne dhe nefrologjisë.
Përfaqësues nga Oda e Mjekëve e kanë vlerësuar Hetemin përveç si një profesionist shëndetësor, edhe për kontributin e çmuar që nga vitet e 90-ta si kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” në regjionin e Vitisë. U tha se Hetemi kishte ngritur sistemin paralel të shëndetësisë në Anamoravë dhe gjithashtu kishte qenë i angazhuar si mjek në Zonën Operative të Karadakut në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me trajtimin mjekësor të ushtarëve të plagosur dhe popullatës së kësaj ane.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, Ahmet Isufi, në kuadër të së cilës ka qenë Hetemi, ka vlerësuar lartë rolin e tij, gjatë kohës së luftës dhe pas si mjek në shërbim të popullit pa dallim.
“Fetiu ishte jo vetëm mjeku, por ishte njeriu i proceseve, që s’u ndal kurrë për realizimin e lirisë së popullit tonë, Doktori edhe para luftës, ishte i angazhuar në unifikimin e faktorit shqiptar në Kosovës që të ndihmojë qoftë përmes shoqatës “Nëna Terezë”, qoftë përmes mobilizimit të popullatës të kundërshtojë pushtuesin serb. Nuk u mjaftua me kaq, por me rastin e nisjes së luftës për liri, nuk do të hezitojë përkundrazi, do të vihet në shërbim, si profesionist, por edhe si ushtar i lirisë, dhe kjo e bën jetën e tij shumë kuptim plotë, sepse ishte në gjendje të jepte gjithçka për lirinë e vendit të vet”, tha ai.
Nënkryetari i Vitisë, Hasan Aliu, tha se Hetemi mbetet njëri ndër personalitetet më të dalluara të Anamoravës për kontributin e tij në shërbim të vendit.
Aliu e ka quajtur Hetemin një humanist të madh që bën Vitinë krenare dhe jo vetëm.
ADVERTISEMENT
“Doktori jo vetëm që dha gjithë dijen e tij në fushën profesionale të mjekësisë, por ai u angazhua edhe për të drejtat e komunitetit shqiptar që po shtypej vazhdimisht dhe padrejtësisht nga pushteti jugosllav. Kontributi i doktor Feti Hetemit i dhënë për vendin është shumë dimensional, prandaj ne nuk mundemi që me një fjalim të përmbledhim punën e tij kolosale. Puna e Dr. Fetiut dhe shokëve të tij na obligon që të krijojmë kushte sa më të mira në shëndetësi dhe të ju dalim në ndihmë njerëzve të sëmurë dhe në nevojë, sepse vetëm kështu mund të plotësojmë amanetin e një njeriu që ka dashur më shumë shëndetësinë, humanizmin dhe pacientet sesa vetën e tij”, tha Aliu.
Në emër të familjes ka folur vajza Mirjeta e cila ka evokuar kujtime nga jeta me të.
Gjatë kësaj ngjarje, familja në nderim të prindit të tyre, bëri edhe ndarjen e bursës studentore “Dr. Feti Hetemi” 2021, fitueses përmes konkurrimit, studentes së mjekësisë Blerona Ostorgllava në vlerë 500 euro. Nga shoqata humanitare “Nëna Terezë” dhe nga komuna u ndanë mirënjohje post mortem.
Në vitet e 80-ta Hetemi ishte delegat i Kuvendit të Kosovës, ku me iniciativën e tij themelohet Qendra për Hemodializë në Spitalin regjional të Gjilanit dhe Dispanserinë për Nefrologji në Viti. Në fund është shfaqur filmi dokumentar “Përtej…” i autorit Tefik Salihu kushtuar jetës së mjekut vitias ku përmes rrëfimeve të atyre që e njohën nga afër, pasqyrohet vepra shumëdimensionale që ai la si trashëgimi.
Dokumentari “Përtej..” kushtuar veprimtarisë së Dr. Feti Hetemit i autorit Tefik Salihu do të transmetohet së shpejti në mediat qendrore dhe lokale.