Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka thirrur urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pasi sitauta me koronavirus është bërë tragjike në Kosovë.
Mbledhja, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit ka nisur nga ora 17:00.
Por çfarë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare?
Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga kryeministri Albin Kurti, derisa pjesë përbërëse janë edhe drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe të tjera.
Pjesë e këtij këshilli janë edhe drejtori i AKI-së, drejtori i Policisë së Kosovës dhe ai i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.
Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj.
Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përgatit strategjinë e sigurisë për Republikën e Kosovës. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Republikën e Kosovës.
Ky këshill, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. /Reporteri.net//