Radiostar, Gjilan, 2 shtator 2021 –
Në Kosovë, gjatë vitit 2016, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i të papunëve dhe shkalla e papunësisë në tremujorin e parë, ishte 50.7% te meshkujt, kurse 61.5% te femrat, në grupmoshat 15-24 vjeç. Në grupmoshat 25-34 vjeç, 32.8% ishte papunësia te meshkujt, 36.2% te femrat; te grupmoshat 35-44 vjeç, 20.8% te meshkujt, 23.8% te femrat. Në vitin 2017, te grupmoshat e para, te meshkujt papunësia ishte 46.5%, kurse te femrat 60.4%. Në vitin 2018, në tremujorin e parë, Papunësia e meshkujve ishte 50.7%, kurse te femrat, 62.7%; më 2019, 46% te meshkujt, kurse 60.8% te femrat; më 2020, 42.9% te meshkujt, 53.6% te femrat; te grupmoshat 45-54 vjeç, në tremujorin e parë të papunësuar u regjistruan, 18.5% e meshkujve dhe 9.1% e grave.
Por dikush nuk po raporton e lexon statistika, por po ndryshon ato, pikërisht falë punësimit të aq shumë vajzave e grave si edukatore dhe mësimdhënëse. Florian Kurteshi dhe Hysnije Ismaili Kurteshi janë çift bashkëshortor nga Komuna e Gjilanit, të cilët me biznesin e tyre po tkurrin papunësinë e kontigjentit më të nevojshëm: vajzave e grave të brezit të ri e të mesëm. Grupmoshat e femrave prej 21-34 vjeç dhe 35-50 vjeç, janë bërë pjesë e aq shumë vendeve të punës, që kanë krijuar këta dy biznesmenë të çerdheve dhe shkollës “Hello”.
Dytë janë me arsim të lartë dhe njëherazi kanë përvojë të pasur dhe direkt në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe universitar. Floriani është arkitekt, kurse Hysnija vjen nga fusha e matematikës. Njëri projekton, tjetra kalkulon mirë. Që në moshë të re, e kishin një ide dhe e kthyen atë në realitet. Pas luftës së vitit 1999, transformimi i familjes kosovare, nga një familje e madhe patriarkale që udhëhiqej forcërisht nga burri ose më i moshuari nga meshkujt, kryesisht gjyshi, do ta ndryshonte përgjithmonë pozitën e gruas, statusin e saj, rolin gjinor tradicional dhe avancimin në sferën publike.
Floriani dhe Hysnija e nuhatën këtë ndryshim të madh shoqëror të pasluftës. U bënë sociologë të lëvizjeve shoqërore në Kosovë. I dhanë përgjigje efikase realitetit të ri që po shfaqej në horizont. E kuptuan që me punësimin e gruas jashtë shtëpisë dhe dalja nga pozita e amvisërisë, do të kishte nevojë dikush të përkujdesej për fëmijët që në moshat e hershme. Atë që po e bënte dikur familja e zgjeruar tradicionale kosovare, tash do ta bënin çerdhet, kopshtet dhe institucionet parashkollore, publike e private.
Numri i çerdheve publike ishte minimal dhe nuk përmbushte as nevojat elementare të qytetit të Gjilanit. Në tregun e lirë, liberalizimin ekonomik, konkurrencën kapitaliste, sektori privat po duhej të lindte, por dikush po e mendonte që herët ngjizjen e parë të këtij biznesi, që përtej profitit, ishte para së gjithash, pasion për të krijuar diçka të dobishme për shoqërinë dhe interesin publik.
Gjithçka ishte tranzicion dhe kishte nevojë për shkrepje idesh. Idetë e reja të krijuesve të “Hellos”, po i përgjigjeshin realitetit të ri social, familjar, kulturor, ekonomik dhe politik të Kosovës e Gjilanit.
Floriani dhe Hysnija e shndërruan idenë në projekt të zbatueshëm. Fillimi ishte i vështirë, siç janë shumica e punëve fillestare. Nuk kishin asgjë, përveç idesë. As inventar, as objekt, as hapësirë. Por prej idesë, bëhet gjithçka. Do ta përshtasnin objektin e tyre privat, si aneks, ku do të bashkëjetonin si familje. Edhe me familjen e tyre në një hapësirë, edhe në tjetrën anë, fëmijët e qytetit. Dhe kështu ndodhi. U hap çerdhja e parë private në Gjilan. Kështu e kujton Floriani, idenë e fillimit të çerdhes:
“Gjatë vitit 2010 po punoja në Prishtinë dhe Tiranë në zyre projektuese, ku ndër temat kryesore të kolegëve të punës ishte mirëqenia dhe zhvillimi i fëmijëve të tyre krahas mundësive që ofronte tregu publik dhe privat për këtë sektor kaq të veçantë të shoqërisë. Punësimi në rritje i gruas, ‘modernizimi’ i familjeve ku çifti i ri del e jeton në një vend tjetër nga familja, ishin potencial i theksuar për të tentuar që të ofronim një zgjidhje. E rëndësisë më të madhe për të marrë një vendim të tillë ishte, rrethi i gjerë shoqëror nga profili i edukimit dhe sfidat që po kalonte njëra nga shtyllat kryesore të një shteti, pra arsimi. Falë kombinimit të profesioneve tona, arritëm që të projektonim një ide e cila ka perspektivë të krijimit të vlerave, ku përpos zhvillimit tonë personal, do të mundësonte edhe zhvillim të shoqërisë. Andaj më 11 shtator 2010, filloi punën Kopshti Hello në një objekt të adaptuar me 160 m2, i cili më herët kishte destinimin e restorantit.
Mirëpo, falë punës sonë si njëra nga ekipet më të mira bashkëpunuese, diagrami i rritjes së hapësirave tona punuese është duke vazhduar për të bërë hapa të sigurt, ku rrjedhimisht në vitin 2013 ndërtuam objektin e ri me 250m2, duke vazhduar të njëjtin objekt me një aneks prej 330m2, dhe tani në vitin 2021, edhe me një tjetër shtesë, me 210 m2, e ku në total tani kopshti i ka 790m2“ – rrëfen në detaje Floriani.
Ndërsa Hysnija tregon po ashtu se si ishte fillimi i çerdhes në Gjilan: “Isha duke punuar në njërën nga bankat komerciale – si promovuese e disa shërbimeve të reja teknologjike, meqenëse vija nga profili i Shkencave Natyrore dhe të Teknologjisë, dhe duke e ditur vlerën e tyre në ndikimin dhe ndërtimin e ardhmërisë së fëmijëve, gjatë tërë kohës e shihja veten e rrethuar me mundësi për të bërë diçka më tepër në fushën e edukimit. Moto se ‘mësimdhënia është mision’, është shumë e lehtë për t’u shkruar, por shumë e vështirë për t’u realizuar. Njeriu zakonisht ka një pasion në diçka të caktuar, por shpeshherë kur e arrin atë, e bën që pasioni të zbehet pak ca. Duke qenë me intuitë të nënës, e ke të qartë që secila nënë dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, dhe më e mira mund të arrihet me shumë punë dhë përkushtim, të cilat nuk do të mungojnë kurrë, nëse besoni që pikërisht ju mund të jeni dikush që do ta ndriçoni rrugën e të tjerëve drejt suksesit.
Kështu, në diskutimet e shpeshta me shoqërinë e ngushtë, identifikuam atë që prindërit dhe fëmijët kanë nevojë. Duke qenë se ne nuk vinim nga profile të ndërmarrsisë dhe menaxhmentit, shpirti jonë sipërmarrës u zhvillua nga hulumtimet tona të para, ku me një kosto minimale, mund të ofronim shërbime maksimale. Ofrimi i transportit ishte diçka shumë e re në qytetin tonë, duke vazhduar me përshtatje të orarit, përdorim të teknologjisë dhe aktivitete të ndryshme edukativo-arsimore që deri atëhere ishin të papara në qytetin tonë. Me një llogaritje të detajuar u bë ekuacioni që tashmë do të njihet si i vetmi që të dërgon në rezultate të suksesit, pra, mendo + vepro + përmirëso = sukses.”
Por prindërit që po ia besonin fëmijët, çerdhes “Hello”, po krijonin relacion të veçantë me të dhe po donin që fëmijët e tyre të vazhdonin rritjen e tyre, regjistrimin edhe në shkollë fillore po në “Hello”. Floriani dhe Hysnija po e mendonin si t’i përgjigjeshin në mënyrë adekuate këtyre thirrjeve të prindërve për përcjellje të fëmijëve nga çerdhja “Hello”, edhe në nivelin fillor e të mesëm të ulët, dhe shumë shpejt do ta shndërronin projektin e çerdheve, edhe në projekt të shkollës 9-vjeçare dhe në vitin 2017, e hapën atë, duke pranuar numrin të befasueshëm të regjistrimeve të para, përtej çdo pritshmërie. Lidhur me këtë, Floriani tregon:
“Suksesi i nxënësve tanë ndër vite bëri që kënaqshmëria e prindërve ndaj shërbimeve tona të rritej, duke kulmuar me fillimin e shkollës fillore të parë private në qytetin tonë. Por, frika për të menduar ‘më shumë’ na vendosi në një objekt rreth 900m2, i cili në fillimet tona dukej shumë i madh, por i cili u bë shumë i vogël më 4 shtator të vitit 2017 – në ditën e parë të shkollës. Ne nuk e kishim kuptuar që kishim krijuar një zgjidhje shumë të mirë për problemet e mëdha që kishin prindërit, andaj edhe pse duke u bazuar në udhëzimet administrative të kohës, ne në objektin tonë ofruam një frymë të re të mësimdhënies e mësimnxënies, gjë që solli rezultate të shpejta pasi që kishim prekur të gjitha pikat kyçe të edukimit. Kjo mbase tani kishim një përvojë 7 vjeçare me fëmijë, përvojë 5 vjeçare universitare me studentë dhe përvojë 10 vjeçare në treg të punës. Pra, ne nuk i shihnim fëmijët si një planprogram strikt i hartuar nga dikush që qëndron mbyllur në një zyre, por po preknim të gjitha proceset kritike të zhvillimit e të ciklit jetësor të njeriut, nga lindja e fëmijëve. Ne tashmë ishim edhe vetë prindër dhe përvoja si prindër bashkë me përvojën akademike universitare, përvojën rritëse me ndërmarrjen në fushën e edukimit në aq shumë nivele, po na ndihmonte tejmase jo vetëm për të identifikuar problemet në edukim, por edhe për t’i dhënë zgjidhje atyre.”
Edhe Hysnija e kujton fillimin me aq shumë sfida, qoftë edhe në përshtatjen e objektit, në një lokacion jo aq të favorshëm për shkak të mungesës së gjelbërimit, ndërsa këta ishin me ide të reja dhe në kokë modelet finlandeze të shkollave po i silleshin rrotull dhe shumë shpejt do ta mendonin një shkollë shumë më të madhe. Me projektimin e Florianit dhe pragmatizmin e Hysnijes, do ta transformohej një objekt i braktisur i ish-zonës industriale, duke i dhënë jetë nga jehonat e fëmijëve parashkollorë e deri në klasën e nëntë.
“Për të treguar që vizioni dhe misioni jonë është i shenjtë, ne vendosëm që të preknim diçka shumë emocionale për qytetin, ashtu siç ishte fabrika e tekstilit, nga e cila siguronin jetesën me mijëra familje para luftës, por që vlerat e saj ishin degraduar me kohën.
Gjithashtu për të treguar seriozitetin tonë në misionin që kishim nisur, objekti prej 5000m2 do të ishte një deklaratë e cila do të shuante edhe dyshimet më të vogla se shkolla ishte një projekt eksperimental, pas aq shumë risish që kishim sjellë qysh në vitin e parë të punës. Sistemi me shumë mësimdhnës që nga cikli parashkollor, klasa e parë e deri tek e nënta, të ndërthurura me planprograme të kohës si STEM Education, Project Based Learning, Problem Solving-Critical Thinking and Analytical Reasoning Development e të aplikuara në lëndë si Teknologjia nga klasa e parë, Matematika Logjike, Mendimi Kritik, Kreativiteti, e shumë të tjera me radhë, tashmë po i jepnin më tepër vlerë numrave që unë kisha parallogaritur për të ndërtuar një shkollë model. Rritja pesëfish e hapësirës, rriti edhe pesëfish punën dhe angazhimin tonë. Falë angazhimit tim në Fakultetin e Edukimit në Universitetin Publik të qytetit, ne kishim qasje nga afër, në përzgjedhjen e komponentëve kryesorë në themelimin e një ekipi profesional, që besojnë në vlerat dhe peshën që mbart profesioni i mësuesit. Pa ekip të mirë, s’ka punë të mirë – është dëshmuar në të gjithë botën, por se ekipi më i mirë të krijon probleme të avancuara, ku ne për çdo vit kemi më tepër nxënës sesa planifikojmë, falë punës dhe risive që kemi sjellë gjatë tërë kohës. Kjo na bënë që të kemi pak kohë t’i shijojmë rezultatet enorme që kemi thurur për një kohë të shkurtër“ – shprehet Hysnija.
Por jemi në vitim 2021, disa vjet nga themelimi i shkollës “Hello Academy of Education”, bashkë me kopshtet në Gjilan e Viti. Ambiciet e Florianit dhe Hysnijes nuk ndalen dhe janë plot vullnet e me skica idesh. Për çdo vit, kërkojnë dhe duan risi. Objekti aktual sado i gjerë, me hapësira të mjaftueshme, me një kopsht mbresëlënës me lisa e gjelbërim, sado estetik që është, për shkak të ish-zonës industriale, të shndërruar në zonë tregtare, frekuentimit të aq shumë makinave dhe mjeteve të transportit të rëndë, të ngarkim-shkarkim mallrave për qendrat e mëdha tregtare, i ka shtyrë Florianin si arkitekt dhe Hysnijen si matematikane, të projektojnë diçka ekologjike dhe të matshme mirë për fëmijët. Janë në proces të sendërtimit të një shkolle të re, të paparë si ide dhe plan të jetësueshëm shumë shpejt. Po zgjerohen gjithnjë e më shumë. Çerdhet dhe shkolla “Hello” po bëhen si brend në fushën e edukimit e më gjerë. Diçka për planin arkitektonik, ekologjik dhe bio, të shkollës “Hello”, tregon sërish Floriani:
“Nuk mund të pretendojmë që po i përgatisim nxënësit që të bëhen qytetarë të dobishëm të globit, gjersa tymi i oxhakut nxinë mushkëritë e tyre sa herë që ata marrin frymë, njëjtë siç nuk mund të pretendojmë që po i përgatisim nxënësit për të ardhmen, në qoftë se libri i lëndës së Teknologjisë, është botim i vitit 2005. Duke e ditur që fëmijët shumë më tepër mësojnë duke i parë dhe duke i bërë gjërat, sesa vetëm duke dëgjuar, ne kemi menduar që objekti i shkollës të ketë qasje 24 orë në ditë në kulmin e saj, sallat e sporteve, pishinë, bibliotekë, gjithnjë duke e shfaqur ‘shkencën’ para tyre: se si objekti mund të ndriçohet pa shpenzuar energji elektrike; si mund të ngrohet e ftohet pa shpenzuar energji; përse kulmi më nuk është element për largimin e ujit, por akumulimin e tij; përse mbjellja e perimeve në kulm është e nevojshme jo vetëm për të siguruar ushqim, por për ta pastruar ajrin dhe për ta izoluar objektin; ullukët nuk janë elemente vertikale për largimin e ujit, por elemente që e akulumojnë ujin dhe përmes destilimit e bëjnë ta ripërdorim atë ujë; përse bletët janë më të rëndësishme se sa vetëm insekte që prodhojnë mjaltë; përse ushqimi nga ferma e shkollës është zgjidhja e problemeve të shumta për t’i shmangur shumë sëmundje të kohës, e kështu me radhë, do të trajtohen tema të ndryshme në klasët verore nën hijën e mijëra pishave, në kabinetet e shkencave natyrore dhe në klasët të rrethuara me mure ekologjike, të kundërta me ato që njihen si ndotësi më i madh e që është ndërtimi klasik. Ekologjia nuk është trend, por është zgjidhja e duhur dhe e vetme e problemeve globale që nga shëndeti i jonë deri tek udhëtimet ndërplanetare.”
Por përtej ekologjisë, modelit që ndjekin në shkollën “Hello”, kjo veçohet për kontributin e tyre shoqëror në punësimin e gruas. Kjo është e veçanta e jashtëzakonshme e këtij çifti të ri, nxitjes së besimit te gjeneratat e reja, se mund të bëhet me vizion, me ide, me plan, me shumë këmbëngulje, punë e pasion, besim e përkushtim sistematik, diçka e madhe. Aktualisht çerdhet dhe shkolla “Hello Academy of Education”, janë bërë shansi i punësimit të aq shumë vajzave dhe grave. Për më shumë statistika e numra, motivohet të na flet Hysnija matematikane:
“Vetëm në çerdhe janë të punësuara 17 edukatore dhe mësimdhënëse vajza e gra. Ndërsa në shkollën ‘Hello Academy of Education’, janë punësuar 47 mësimdhënëse. Në Hello Vitia, 8 të punësuara janë femra dhe gjithsej të punësuar në shtëpinë Hello, në tri pikat, janë mbi 80 mësimdhënës, edukatore, punëtore teknike dhe në administratë. Por nuk e kemi synimin të ndalemi. Do të bëjmë përpjekje që të krijojmë një model të mirë në edukim dhe duke pasur këtë besim tek aq shumë prindër, ne do ta kthejmë këtë besim në punë, kreativitet dhe një brend që të krenohen nesër fëmijët e tyre. Besimi në rritje tek aq shumë prindër, është edhe nevojë për shumë punëtorë, e veçmas vajzat e gratë, të cilat aq shumë janë të orientuara edhe për studime universitare në Fakultetin e Edukimit në Gjilan, Prishtinë e më gjerë.”
Floriani dhe Hysnija si bashkëpronarë e punëdhënës, vetëm në Komunën e Gjilanit, janë bërë kontributdhënësit e punësimit dhe avancimit të statusit të grave, duke dalë nga pozita e amvisërisë në edukatore dhe mësimdhënëse të aq shumë brezave. Si ndërmarrës të rinj, janë plot vullnet e energji, por mbesin të pakënaqur me mbështetjen e dobët që bën shteti për ndërmarrësinë që avokon dhe promovon aq shumë punësimin e grave, siç është biznesi i tyre. Edhe atëherë kur aplikojnë për grante te thirrjet e Bashkimit Evropian, për të mbështetur projekte të kushtueshme për fëmijët me nevoja të veçanta, reduktimin e papunësisë maksimale te gratë, kanë përvoja edhe të hidhura. Rasti i fundit është kur iu kërkua nga ofruesi i grantit nga Bashkimi Evropian, që institucionet shtetërore të jenë vetëm fascilituese, një letër konfirmimi për atë që tashmë është formalisht. Institucionet shtetërore nuk bëjnë më shumë për punësimin e grave në Kosovë dhe personat me nevoja të veçanta, as për t’i shkruar një email donatorëve evropianë e të interesuar për të mbështetur sektorin privat dhe avullohet granti për një email konfirmimi.
Mirëpo, të kalitur tashmë me sfida, ende shumë shpresojnë dhe e dinë që vetëm një gjë është e rëndësishme: të bëni atë që besoni, të këmbëngulni në atë që krijoni, të krijoni besim me punë pa ia kërkuar dikujt atë dhe të përkushtoheni në interesin më të mirë të fëmijëve. Të tjerat, mund të vonohen e zvarriten, por kurrë të mos vijnë!