Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka thirrur institucionet kompetente të shtetit të hetojnë dhe zbardhin rastin tragjik që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në spitalin modular të Tetovës ku si pasojë zjarrit humbën jetën dhjetëra persona dhe u lënduan disa të tjerë.
Në një konferencë për media, Arifi ka thënë se do të ketë ndihmë financiare për familjet e prekura nga kjo tragjedi dhe bëri të ditur se Këshilli i Komunës së Tetovës ka shpallur tre ditë zie për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme.
“Në vend ka pasur më tepër spitale modulare, ato kanë ecur në bazë të procedurave të caktuara dhe Komuna e Tetovës si gjithmonë u është përmbajtur atyre procedurave. Çka do që të themi do të spekulonim dhe të gjithë ne që jemi këtu duhet të kemi kujdes nga spekulimet që mos të shkaktojmë akoma më shumë dhimbje, ka mjaft dhimbje dhe nuk meriton më shumë spekulim, por jam shumë e bindur se institucionet do t’i shikojnë të gjitha, të gjitha pistat për të gjetur arsyet, shkaqet, meqë pasojat janë aq të mëdha saqë patjetër duhet të gjinden shkaqet e tërë kësaj tragjedie”, ka thënë Arifi.
Arifi u ka bërë thirrje organeve kompetente që sa më parë të zbardhin rastin e shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë.
“I thërras organet kompetente të cilat e kanë për detyrë ta zbardhin këtë rast, ta bëjnë në mënyrë profesionale, të shpejtë, ashtu siç meritojnë rastet e kësaj madhësie dhe këtyre pasojave”, ka thënë ajo.
Arifi ka bërë të ditur se nga Fondi Emergjent i Komunës së Tetovës do të ndihmohen financiarisht të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi ku humbën jetën dhjetëra pacientë që po trajtoheshin për Covid-19 në spitalin modular të Tetovës, e të tjerë mbetën të lënduar.
Ajo ka ngushëlluar familjet e prekura nga kjo tragjedi duke thënë se është dhimbje e madhe për të gjithë.Autoritetet në Tetovë po punojnë në identifikimin e viktimave.