Bizneset e ndryshme në Gjilan po ballafaqohen me probleme të shumta ekonomike si rrjedhojë e COVID-19 dhe mos-mbështetjes së duhur nga Komuna dhe Qeveria e Kosovës.
Për diskutimin e këtyre problemeve dhe gjetjen e zgjidhjeve të tyre, kandidatja e PDK-së për kryetare të Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, së bashku me nënkryetaren e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku dhe deputeten Blerta Deliu-Kodra, vizituan biznesin e mirënjohur “EURO Model”, që merret me prodhimin e dritareve dhe dyerve të drurit.
Në këtë takim, kryetarja Morina-Bunjaku teksa dëgjoi me vëmendje sfidat e këtij biznesi, bëri të ditur se nën qeverisjen e saj të ardhshme, ndërmarrësit në Gjilan do të kenë përkrahjen e duhur për t’u zhvilluar dhe depërtuar edhe më shumë, brenda dhe jashtë vendit.
“Në qeverisjen tonë të ardhshme të gjitha bizneset do të kenë mbështetjen e plotë. Ne iu premtojmë se bizneset do të kenë subvencione dhe do të krijohen mundësitë që të ketë sa më shumë lehtësi për ndërmarrësit kur aplikojnë për subvencione, pasi pandemia COVID-19 ka shkaktuar shumë dëme ekonomike”, tha ajo.
“Do të punojmë për të mirën e qytetarëve pa asnjë hezitim, pasi kemi pasur 8 vite një qeveri që s’i ka plotësuar kërkesat e qytetarëve të Gjilanit”, shtoi Morina-Bunjaku.
Po ashtu, ish-ambasadorja kosovare në ShBA, Vlora Çitaku e përgëzoi kompaninë në fjalë për punën e suksesshme që vazhdojnë ta bëjnë tash e ca vite si dhe për numrin e madh të punëtorëve, ku 50% e stafit i përket gjinisë femërore.