Shkruan: Nehat Osmani
FRYMA E SPORTIT SI KULTURË E KULTURA E SPORTIT SI FRYMË NË QYYTETIN E GJILANIT
Ka kohë që në qytetin e Gjilanit fryma e futbollit përjetohet si kulturë ndërsa kultura e futbollit si frymë. Në të dyja okazionet Gjilanasit i vëzhgojnë nga prizmi filozofik, ku sporti ndërthurë artin në kulturën e filozofisë tika taka.
Ka kohë që derbin më të madh futbollistik të vendit, Gjilanasit e përjetojnë si kulturë, në të cilën mishërohen dashuria për ngjyrat e klubit, besnikëria, kreativiteti e virtuoziteti.
Ka kohë që derbi i qytetit nuk është vetëm derbi i qytetit të Gjilanit por është derbi i shtetit të Kosovës. Me nivelin e tyre organizativ, me rezultatet e tyre kulminante, dy klubet tona të mëdha kanë tejkaluar suazat lokale e rajonale. Ato sot përfaqësojnë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare e shteti ynë përmes këtij Derbi Ikonik promovon vlerat shtetërore.
Ka kohë që KF “Drita” nuk është vetëm i “Intelektualëve” dhe gjilanasve por përkrahësit e saj janë anekënd Kosovës, sikur që ka kohë që FC “Gjilani” nuk është vetëm i “Skifterave” dhe gjilanasve por përkrahësit e saj janë anekënd Kosovës.
Vështruar nga ky prizëm dhe interesimit gjithëkombëtar në njërën anë si dhe kushteve të mjera të stadiumit në Gjilan në anën tjetër, ndoshta edhe mund të arsyetojmë, madje edhe të përshëndesim vendimin për zhvillimin e derbit të madh në kryeqytetin e Kosovës në një ambient modern sikur është Stadiumi i Prishtinës.
Pa mos anashkaluar në asnjë moment neglizhencën dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe liderëve politik për zvarritjet enorme në përfundimin e punimeve në Stadiumin e Qytetit të Gjilanit.
Pa mos nënvlerësuar dëmet e jashtëzakonshme që iu janë shkaktuar dy klubeve tona si në aspektin sportiv poashtu edhe ate menaxhues e financiar për vite të tëra, sidomos pa mos amnistuar në asnjë moment bartësit e këtyre abuzimeve, keqpërdorimeve e premtimeve mashtruese.
Stadiumi i qytetit të Gjilanit nuk e ka vetëm rëndësinë e saj sportive, ai ka rëndësinë e saj edhe arkitektonike, kulturore e zhvillimore. Pikërisht për këtë arsye ai nuk do duhej të ndërtohej në lokacionin aktual për shkak të mospërmbushjes së një mori kushtesh hapësinore për të cilën kam shkruar edhe në të kaluarën, edhe pa filluar rikonstruimi.
Stadiumi i qytetit do duhej të ndërtohej në një zonë krejtësisht të lirë të qytetit ku do zhvendosej një qytet i ri me tërë infrastrukturën e nevojshme ndërtimore dhe hapte perspektiva të pakufizuara të prosperitetit modern e zhvillimor të qytetit tonë, ku do të përfshiheshin e konsultoheshin shumë arkitektë e inxhinierë, planifikues hapësinor, ekspertë të ekonomisë, intelektualë të të gjitha lëmive.
E megjithate duke dështuar në realizimin e një mundësie të papërsëritur për gjithë spektrin politik e intelektual, njerëzor, sportiv e kulturor të qytetit tonë, do duhej të bënim të pamundërën në mënyrë që të bëjmë të mundur realizimin e projektit të filluar ekzistues në një periudhë dhe afat maksimalisht të përshpejtuar drejt arritjes së pritshmërive të qytetarëve
Le t’iu urojmë lojtarëve të dy klubeve tona të Gjilanit suksese edhe në këtë derbi shtetëror me një urim që ky derbi të jetë ballafaqimi i fundit që zhvillohet jashtë Gjilanit, me një dëshirë sublime që derbin e ardhshëm ta zhvillojnë në tribunat e stërmbushura të stadiumit të qytetit të Gjilanit, aty ku do mblidhen në një vend të rinjtë e të moshuarit, dashamirët e lojës së bukur e atmosferës, tifozët e flaktë të të dy klubeve.
(Autori është legjendë e gjallë e futbollit gjilanas dhe kosovar)