Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bartësi i listës zgjedhore të LDK-së, Avdyl Aliu dhe kandidatët për Asamble, Deniza Limani, Diana Toska e Valdrin Halimi kanë vizituar Qendrën Labyrinth, ku janë pritur nga drejtori general, Safet Blakaj dhe bashkëpunëtorët.
Kryetari Haziri ka përgëzuar ata për punën e madhe që kanë bërë lidhur me rehabilitimin e personave, përdorues të narkotikëve, derisa ka thënë se ndjehet mirë që me të gjitha kapacitetet komunale i ka mbështetur.
“Qendra Labyrinth ka bërë punë të madhe në rehabilitimin e personave, të cilët kanë qenë përdorues të narkotikëve. Ky është një mision jo i lehtë dhe për këtë shpreh vlerësimin tim më të lartë. Këtë Qendër e kemi mbështetur me të gjitha mundësitë komunale, ndërkaq në mandatin e ri do të punojmë bashkë në strategjinë për indektifikim të hershëm të nxënësve në shkolla, në mënyrë që ta parandalojmë këtë dukuri”, ka thënë kryetari Haziri.
Në emër të Qendrës Labyrinth ka folur drejtori gjeneral, Safet Blakaj, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen në disa projekte, duke shfaqur bindjen se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.