Në prag të ndeshjes së shtatë kampionale, FC DRITA-KF Dukagjini, klubi jonë ka mbajtur konferencë për medie, ku u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ilir Blakçori.
Trajneri ynë, Nuhiu foli për ndeshjen e nesërme dhe kundërshtarin, duke theksuar se FC DRITA është gati si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë psikologjik.
“Njohim kundërshtarin e rradhës. Bëhet fjalë për një skuadër, e cila ka futbollistë shumë cilësor brenda grupit. Neve nuk duhet të na gënjejë klasifikimi. Kemi analizuar ndeshjet e tyre dhe mendoj se ata kanë merituar më tepër pikë, sepse kanë zhvilluar ndeshje të mira. Ne kemi punuar këto tri ditë, kam punuar me futbollistët si në aspektin taktik ashtu edhe në atë psikologjik, sepse vijmë nga një humbje. Mendoj që skuadra është gati për të reaguar dhe për të treguar karakter në ndeshjen e nesërme”, ka thënë Nuhiu.
Për sfidën ndaj KF Dukagjini foli edhe futbollisti, Ilir Blakçori, i cili theksoi se do ta japin më të mirën për t’iu rikthyer rezultateve pozitive.
“Dukagjini ka një ekip shumë cilësor dhe klasifikimi në këtë rast nuk është real, pasi ata kanë futbollistë të dëshmuar në Superligë dhe ne i njohim kapacitetet e tyre. Prandaj, neve na mbetet të fokusohemi dhe me seriozitet t’i qasemi ndeshjes për të treguar më të mirën tonë”, deklaroi Blakçori.
Trajneri Nuhiu u pyet për ndeshjen e xhiros së gjashtë dhe humbjes në derbi lokal, duke u përgjigjur se pës sukseset e klubit do të jenë meritorë futbollistët, ndërsa për humbje do të marrë përgjegjësitë ai.
Trajneri Nuhiu vlerësoi angazhimin e futbollistëve, ndërsa humbjen e vlerësoi si aksidentale.
“Në momentin që ndeshja humbet në atë mënyrë, kur skuadra luan mirë, provon dhe krijon raste, do ta quaja humbje aksidentale dhe nesër djemtë do të tregojnë karakter, do të tregojnë se kjo humbje nuk ndikon në ecurinë e mëtejme. Kur skuadra luan mirë humbja nuk të mërzit shumë, por vetëm do të kërkojmë që në ndeshjen e rradhës të reagohet menjëherë”, ka thënë Nuhiu.
Kryetrajneri, Ardian Nuhiu njofton se nesër nuk do të aktivizohen Marko Simonovski dhe Prince Balde për shkak të kartonit të kuq, ndërsa pritet vlerësimi i mjekut për Arbnor Mujën dhe Almir Ajzeraj për shkak të disa shqetësimeve.
Ndeshja zhvillohet nesër në stadiumin “ 18 Qershori” në Klinë, 30 shtator, ora 15:00.
Konferencën e plotë mund ta ndiqni në profiling zyrtar të klubit, Drita FC në linkun: https://fb.watch/8k6irIXszE/