Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka takuar në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Për këtë vizitë ai bëri të ditur në rrjetin social “Facebook”.
Pacolli tha se Thaçi dhe të tjerët në Hagë po luftojnë kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur.
Postimi i plotë:
Në cilësinë time si ish -President i Kosovës dhe mbi të gjitha si një mik personal, së bashku me Jetlirin, vizituam ish -Presidentin Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim, për gati një vit nga Gjykata Speciale në Hagë. Per pak kohë, me kenaqesi, takuam edhe ish kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish deputetin Rexhep Selimi. Të tjerët kesaj radhe nuk mundem me i takuar.
Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me presidentin Thaçi.
Si mik i tij, por edhe si Kosovë, jam i bindur se sot në paraburgim ( bashk me të tjerët), është njeriu që udhëhoqi luftën për çlirimin e vendit, ai ishte personi kyç në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë.
Këtu në Hagë ai, më të tjerët është duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur.
Kosova të merr Kroacinë si shembull se si i mbron luftëtarët e saj dhe të mos e kthejë urrejtjen politike ndaj individëve në urrejtje ndaj së kaluarës sonë, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, për të rishkruar historinë. Dhe historinë e kanë shkruar edhe ata që sot janë në Hagë dhe shumë të tjerë në Kosovë, por me logjikën e sotme pavetëdijshëm po bëheni aleat i Beogradit në luftën kundër UÇK -së.
Është momenti i fundit që Shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.