Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë që sot i kanë marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia.
“Sot më 8 tetor, kemi marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia. Njëri vendim cakton masën antidamping prej 3 centë për kilogramë në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia. Vendimi tjetër cakton masë antidamping prej 3 centë për njësitë e bllokut ndërtimor me origjinë nga Serbia”.
Hajdari në një konferencë për media ka thënë që të dy vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me ligjin për masat antidamping.
“Vendimeve u kanë paraprirë hetimet e ndara dhe analizat e mirëfillta të departamentit të tregtisë i cili ka vepruar sipas kërkesave të prodhuesit vendor. Fillimi i hetimeve është mbështetur veçanërisht në propozimin e komisionit për vlerësimin e detyrimeve të veçanta në importe. Hetimet kanë konfirmuar se produktet në fjalë shiten me çmim më të ulët në tregun e Republikës së Kosovë sesa më tregun e brendshëm të Serbisë si vend i origjinës”.
Hajdari ka theksuar se më 24 shtator të këtij viti, kanë dërguar letër në CEFTA për përfaqësimin e vendit pa ndërmjetësimin e UNMIK-ut.