Gjilan, 26 maj 2017 – Në Komunën e Gjilanit me përgatitjet e bëra nga Drejtoria e Arsimit dhe Ministria e Arsimit në mbështetje të kryetarit Lutfi Haziri, sot është mbajtur testi i arritshmërisë, i cili është organizuar në shtatë qendra në qytet me gjithsej 77 paralele nga të gjitha shkollat e Gjilanit.
Në fjalën e saj gjatë vizitës me stafin e drejtorisë dhe të MASHT-it, ushtruesja e detyrës së drejtorit të arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati-Haziri, ka thënë se falë angazhimit të drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve dhe personelit nga DKA dhe MASHT-i, gjithçka ka nisur me kohë dhe conform rregullave të testimit.
“Është një test me rëndësi të madhe për nxënësit e shkollave tona. Të gjitha përgatitjet janë bërë në atë formë që gjithçka të jetë në rregull dhe sipas planifikimit. Gjilani ka 1446 nxënës të klasave të nënta që sot i nënshtrohen testimit të arritshmërisë, në shtatë qendra të testimit me gjithsej 77 paralele të komunitetit shqiptarë dhe dy të komunitetit turk”, ka thënë Kastrati-Haziri.
Ajo më tej ka falënderuar për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga Policia e Kosovës dhe gatishmërinë e kujdesit të shëndetësisë primare në Gjilan për shëndetin e nxënësve.
Kurse, drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Fitore Malaj, ka thënë se gjithçka ka qenë e përgatitur dhe e gatshme për ta organizuar testimin në këtë shkollë dhe nuk janë shënuar parregullësi, apo ngecje në organizim.