Shkruan: Demush Shabani
Autori është magjistër i shkencave politike. Ka punuar si këshilltar politik në kabinetin e ish-ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri. Dhe është ndërmarrës në qytetin e Gjilanit.
Dega e Partisë Demokratike në qytetin e Gjilanit ka kohë që ndodhet në një gjendje konfuze. Ajo sot për sot e ka të vështirë ta ndërtojë një qëndrim të përbashkët politik për çështjet më të thjeshta e deri tek sfida e balotazhit. Si pasojë e mungesës së këtij konsolidimi, kjo degë nuk e ka të qartë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë si formacion politik.
Një shpërputhje e tillë morale, ideologjike dhe vakum politik ka bërë që ajo të shndërrohet në një medium ku grupe të ngushta të interesit në emrin e kësaj dege të tentojnë t’i realizojnë vetëm interesat e tyre të ngushta partikulare, por duke e anashkaluar frymën e përgjithshme të degës së partisë.
Madje kjo shkapërderdhje e vullnetit të brendshëm politik askund s’u vërejt më mirë se sa në zgjedhjet e mbajtura më 17 tetor. Diferenca e theksuar ndërmjet votave për partinë si subjekt politik dhe kandidaten e emëruar për kryetare të qytetit e pasqyron këtë tendence fatale për qëndrueshmërinë e një subjekti politik. Ky paradoks tregon se shumica e anëtarësisë së kësaj dege me rekomandim apo pa rekomandim të grupeve të caktuara ishin instruktuar që në një mënyrë apo tjetër ta sabotonin kandidaten e partisë së tyre, të nominuar me procedura demokratike.
Është e natyrshme që në demokraci qytetarët të kenë mendime, besime dhe bindje të ndryshme. Kjo është mrekullia e demokracisë. Por mungesa e ekuilibrit ndërmjet mendimit individual dhe veprimit të përbashkët e rrënon çdo parti politike.
Nëse kolektivizohet mendimi atëherë partitë bëhen dogmatike, rigide dhe pushtohen nga njëmendësia ideologjike si dhe e humbin aftësinë për t’u adaptuar dhe ndryshuar në përputhje me nevojat e kohës. Ish-partitë komuniste dhe reliktet e tyre mentale aktualisht janë shembull tipik i këtij degjenerimi.
Mirëpo, nëse partitë po ashtu e partikularizojnë deri në ekstrem veprimin, e suspendojnë interesin kolektiv dhe i shpërfillin rregullat e përbashkëta partiake të funksionimit dhe trashëgiminë e partisë, ato pushtohen nga mendësia anarkike, kaotike dhe atomizuese.
Prandaj, edhe në këtë rast ato përsëri e humbin mundësinë për të mbijetuar politikisht. Aq më tepër që motivet e nismave të tilla dezintegruese nuk nisen nga“mendimi ndryshe”, por nga interesat dhe kalkulimet personale. Sepse nuk mbetet asgjë që i përbashkon anëtarët e një subjekti politik . Dega e PDK-së në Gjilan fatkeqësisht ka kohë që është infektuar nga ky virus politik. Dhe e ardhmja e saj nëse vazhdon në këtë mënyrë nuk është aspak premtuese. Përkundrazi, tejet e zymtë.
Mungesa e një lidershipi adekuat, i cili e merr përgjegjësinë për vendimet e përbashkëta, sukseset dhe dështimet e mundshme, si dhe e orienton si duhet drejtimin politik të degës, në përputhje me vendimet e kryesisë qendrore dhe vullnetin e strukturës lokale, e ka lënë degën në këtë mjegullnajë totale.
Anëtarësia ka mbetur pre e deklaratave, prononcimeve dhe opinioneve nga më të ndryshmet, pa e ditur saktë se cili është qëndrimi zyrtar i partisë. Praktika ka treguar se për aq kohë sa dominon kjo gjendje pezull, regresi është i pashmangshëm. Zvarritja në pafundësi e kësaj krize mund ta tjetërsojë totalisht këtë degë nga atributet me të cilat është identifikuar historikisht. Në fund të fundit, PDK-ja si parti në tërësi është dalluar nga aftësia për të marrë vendime të guximshme. Të mos bëjë sehir kur e ka e kërkuar nevoja dhe interesi i përbashkët politik . Dhe vendimet t’i marrë në mënyrë ta hapur, publike dhe jo prapa shpinës së anëtarësisë.
Kuptohet, çdo kush ka të drejtë që ta artikulojë vizionin e tij publikisht se si duhet të orientohet dega e partisë në situata të tilla delikate. Mirëpo, s’është e qëndrueshme moralisht, politikisht dhe parimisht që të bëhet para se të jetë shteruar debati, diskutimi dhe ballafaqimi i argumenteve brenda degës dhe me strukturat më të gjëra të partisë. Ku në fund mund të dilet më një konkluzion unik politik.
Anashkalimi i rregullave të tilla procedurale nuk bëhet për të hapur debat, as për të iniciuar procesin e reformave të domosdoshme, por për ta imponuar një agjendë të veçantë nëpërmjet zhurmës publike. Dhe kjo qasje më së paku i kontribuon konsolidimit të degës dhe orientimit të duhur politik dhe shoqëror të PDK-së në qytetin e Gjilanit.
Madje, kjo logjikë e pengon dhe zvetënon aftësinë e PDK-së për ta qartësuar dilemën më të madhe politike që i imponohet jo vetëm asaj si partie, por veprimit politik në përgjithësi.
Tradicionalisht dhe historikisht pyetja themelore që e ka dominuar këtë sferë ka qenë ajo se a duhet të angazhohemi ta ruajmë një gjendje politike apo të luftojmë që ta ndryshojmë atë? Kur dëshirojmë ta ruajmë atë ne besojmë se ndryshimi do ta përkeqësonte gjendjen aktuale, kurse nëse dëshirojmë ta ndryshojmë shpresojmë se mund ta përmirësojmë.
Nga mënyra se si është sajuar përgjigja ndaj kësaj pyetje kanë lindur ideologjitë, partitë, vlerat, bindjet dhe metodat se si mund të jetësohet në praktikë ky projekt. E majta dhe djathta, konservatorizmi dhe progresivizmi, patosi revolucionar dhe vizioni evolucionist, demokracia dhe diktatura ,nuk janë asgjë tjetër pos shprehje eksplicite kësaj nxitje themelore.
Njerëzit bashkohen në grupe politike pikërisht nga mënyra se si i qasen këtij parimi autentik politik. A e ëndërrojnë ata ndryshimin sipas motos “botën e vjetër ta shkatërrojmë dhe të renë ta ndërtojmë” apo që këtë proces e imagjinojnë të bëhet gradualisht duke ruajtur vlerat e së kaluarës, traditat e përbashkëta, kujtesën kolektive, me synimin për ta ndërtuar të ardhmen. Dhe hamendje të tilla nuk zgjidhen me deklarime të çastit, apo të nxitur nga interesat momentale, por janë produkt i një debati të gjatë politik, përcaktimi ideor dhe besimi vleror.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike e Kosovës, pas një rrugëtimi të gjatë e ka zgjidhur në një masë të duhur këtë dilemë. Ajo e ka definuar veten si parti e djathtë, konservatore, që beson në preservimin e vlerave tradicionale dhe e ndërton të ardhmen me maturi dhe duke kërkuar respektimin rigoroz të normave demokratike.
Ky identitet i partisë në nivel të përgjithshëm, deshëm apo s’deshëm, duhet ta formojë hartën e orientimit tonë politik në çdo situatë. Nuk ka logjikë që ta identifikojmë vetën si të djathtë e shpëtimin politik dhe të ashtuquajturin ndryshim ta kërkojmë në kuadër të orientimeve majtiste. Sepse ky strehim nën ombrellën e antitetezës tonë politike nuk mund ta ofrojë as një vizion për promovimin e vlerave politike që ne si parti i kemi konceptuar se si duhet të jetësohen.
Kjo çarje mund të jetë e motivuar për ndryshim personal, por jo kolektiv dhe shoqëror. PDK-ja duhet të çlirohet nga këto presione që i frenojnë mundësitë, aftësitë dhe kapacitetin e saj për të vepruar në përputhje me ideologjinë, besimin dhe vlerat e saj.
Vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta ruajë prestigjin e saj si një parti që dikur i ka anticipuar proceset demokratike, e jo të qëndrojë në margjina të tyre, duke iu nënshtruar dinamikës që e inaugurojnë të tjerët. Dhe kjo sprovë sot është vendimtare si për të tashmen ashtu dhe të ardhmen e saj kësaj partie.