Gazetari i njohur Adriatik Kelmendi përmes një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit se Kosova nuk është në listën e vendeve të ftuara për të qenë pjesë e Samitit për Demokraci në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kelmendi e ka cilësuar këtë si lajmin më të keq për Kosovën që ka ndodhur kohëve të fundit.
“Me të vendosë Amerika e Bidenit në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut dhe Hungarinë e Orbanit është shuplaka më e rëndë që mund ta marrim”, ka shkruar ai.
Tutje Kelmendi ka thënë se mosftesa për pjesëmarrjen në Samitin e Demokracive është përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë për papërgjegjësinë e lartë të Kosovës në planin e politikës së jashtme.
“Nëse edhe kjo shuplakë nuk na kthjellë atëherë vërtet nuk meritojmë më mirë – mbesim gjysmështet/gjysmëhajgare, të vetmit pa liberalizim vizash, pa anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit në geto mizerie”, shkruhet në postimin e Kelmendit.
Ndryshe, reagime lidhur me këtë çështje ka pasur edhe nga fytyra të tjera publike, si Blerim Latifi, Ilir Brahimi e Agon Maliqi.