Pak metra larg shtëpisë së tij në lagjen “Arbëria” të Gjilanit, fëmija i vetëm i familjes, E. Rafuna 21-vjeç, u privua nga jeta me armë zjarri. I plagosur mbeti 29-vjeçari V. H. nga fshati Pogragjë.
Gjashtë persona u përfshinë në një përleshje të armatosur, që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur. Sipas policisë, personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:40 në afërsi të shtëpisë së viktimës, E. Rafuna.
E një ditë pas tragjedisë, lagjja “Arbëria” në Gjilan frekuentohej nga shumë njerëz të cilët vinin për kryeshnosh. Familjarë të viktimës thanë se nuk i dinë arsyet sesi erdhi vrasja, por pohuan se 21-vjeçari i ka vdekur babait në duar.
“Ngjarja ka ndodh shumë afër shtëpisë së tij, babai i djalit i ka dëgju krismat që kanë gjujt nga një veturë e tipit Golf II, ka dal babai edhe e ka pa djalin shtritë në tokë, i ka vdek në krah babës së tij”, tha një familjar i viktimës për Express.
I pyetur se cila ishte arsyeja pse 21-vjeçari kishte dalë nga shtëpia, familjari i viktimës tha “Ka pas me shku te axha i tij”.
Familjarët e tij pohuan se nuk kanë qenë në dijeni se i riu ka pasur mosmarrëveshje me dikë dhe se nuk e njohin grupin e të rinjve që u përleshën me armë zjarri.
Familjarët thanë se E. Rafuna ishte fëmija i vetëm i familjes dhe lindja e tij kishte ndodhur pas 12 vitesh martesë.
Express ka biseduar edhe me familjen e V. H. në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i cili është plagosur mbrëmë, por familja nuk ka pranuar të prononcohet për media.
Familja ka konfirmuar se 29-vjeçari i plagosur është në gjendje të mirë shëndetësore.
Për vrasjen e mbrëmshme, policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar, me vendim të prokurorit të njëjtit ndodhen në ndalim.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” , ndërsa në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale, policia ka konfirmuar se janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Motivi i ngjarjes mbetet akoma i paqartë.