Detaje të reja janë dhënë për zyrtaren e Policisë në Gjilan, e cila sot është gjetur e vdekur në varrezat e qytetit.
Shefi i Hetimeve Rajonale Remzi Azemi në një konferencë për media ka folur për rastin, ndërsa ka treguar se afër trupit të pajetë të zyrtares policore, rreth 50-vjeçare, është gjetur edhe një armë.
Azemi ka treguar se e ndjera ka qenë në marrëdhënie të rregullt pune në Policinë e Kosovës, ndërsa nuk ka dhënë më shumë detaje, me arsyetimin se janë duke kryer hetime.
“Zyrtarja në fjalë ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune dhe ka qenë e angazhuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ende jemi në fazën e parë të hetimeve, trupi i saj është gjetur pa jetë dhe afër saj është gjetur një armë zjarri. Rastin jemi duke e trajtuar si ‘vdekje e dyshuar’. Trupi me urdhër të prokurorit trupi është dërguar në IHML dhe pas kryerjes së obduksionit dhe ekzaminimit në vendin e ngjarjes do ta kemi më të qartë”, ka thënë Azemi.
Në lidhje nëse e ndjera ka qenë duke hetuar ndonjë rast, ai tha se ajo nuk ka qenë e angazhuar në ndonjë rast të tillë.
“Mund ta rikonfirmoj se e ndjera ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune. Vendi i saj i punës nuk përket me hetime”, tha Azemi.