Ndërsa dimri po afrohet dhe numri i rasteve të koronavirusit rritet përsëri, këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci paralajmëron se dobësimi i efektit të vaksinës në kombinim me variantin delta shumë të transmetueshme do të çojë në një “goditje të dyfishtë” që do të prekë “madje edhe njerëzit e vaksinuar.”
“Një aspekt paksa shqetësues i kësaj është se nëse e mbani nivelin e dinamikës së virusit në komunitet në një nivel të lartë, padyshim që njerëzit që janë më të prekshëm janë të pa vaksinuar, por kur keni një virus që transmetohet si delta, në kontekst të dobësimit të vaksinave, kjo dinamikë do të ndikojë negativisht tek personat e vaksinuar. Pra, është një goditje e dyfishtë”, tha Fauci në një intervistë të transmetuar në samitin STAT 2021.
“Do të ketë një rritje të numrit të të infektuarve në mesin e të vaksinuarve, i cili do të jetë më i lartë se tani”, shtoi ai, raporton ABC News.
Parashikimi i tij i zymtë është në përputhje me paralajmërimet e ekspertëve të tjerë që po bëjnë të ditur përhapjen e re të COVID-it, sepse gjithnjë e më shumë njerëz do të kalojnë kohë në ambiente të mbyllura me afrimin e festave, gjatë të cilave zhvillohen tubime familjare.
Mesatarja ditore kombëtare e rasteve të reja u rrit në më shumë se 80.000, sipas të dhënave federale, shkalla më e lartë në gati një muaj.
Dyzet shtete aktualisht po tregojnë një shkallë të lartë infeksioni dhe numri i përgjithshëm i shtrimeve në spital është rritur për herë të parë në pothuajse 10 javë, raporton tch.
“Nuk do të jetë e rëndësishme vetëm të binden rreth 60 milionë njerëz të pa vaksinuar se duhet të imunizohen, por është shumë e rëndësishme të zbatohet një program për dozën e tretë të vaksinës”, tha Fauci, duke shtuar se doza shtesë të vaksinës kundërCOVID mund të bëhen standardi për vaksinimin “të plotë”.
Deklaratat e Faucit erdhën në një kohë kur një numër në rritje i shteteve dhe autoriteteve lokale po bëjnë presion që vaksinimi i detyrueshëm të shtrihet në dozën e tretë.
Qëllimi i tyre është të prezantojnë një dozë të tretë për të gjithë të rriturit të paktën gjashtë muaj pas vaksinës së dytë Pfizer ose Moderna.