Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se nuk ka ndryshuar mendim e as qëndrimin lidhur me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në një konference për media pas përfundimit të mbledhjes së dy Qeverive, Rama tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë që e ka thënë në mes të Beogradit, pra që Serbia duhet ta njoh Kosovën.
“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj Qeverie, mendimi im në lidhje me Kosovën nuk është as sekret, as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur qysh në krye të herës edhe në mes të Beogradit. Nuk ka ndryshuar. Më këtë nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë Rama.
Rama në këtë konferencë foli edhe për nismën e “Ballkanit të Hapur”.
Ai tha se kanë qëndrime, opinionin dhe qasje të ndryshme për sa i përket kësaj çështje.
“Për sa i përket Ballkanit të Hapur kemi sigurisht një qaje, qëndrime, opinione të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju edhe të gjithë të mësohemi që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat por kjo nuk na pengon që t’i vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku zgjedhjet e duhura në funksion të ardhmes të dy vendeve tona. Kështu që mendoj që këto opinione të ndryshme në raport me Ballkanin e Hapur nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh”, ka thënë Rama.
Ai tha se në mes të tij dhe kryeministrit Kurti nuk mund të mbyllen të gjitha debatet.
“Për Ballkanin e hapur është një debat i hapur në mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenën të mbyllura, sepse atëherë na duhet që t’i ndërrojmë emrat dhe të mos jemi ata që jemi. Është fiziologjia e marrëdhënie4s në mes të njerëzve që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem që të mendojnë njëjtë për të gjitha gjërat”, ka thënë Rama.