Prishtinë, 6 dhjetor 2021- Hoteli i njohur kosovar me pesë yje, Emerald ka njoftuar se e ka fituar çmimin e rëndësishëm të industrisë së turizmit nga “Balkan Awards of Tourism Industry”.
Emerald Hotel si pjesëmarrjes në “The annual Balkan Awards of Tourism Industry 2021” i mbajtur në Sofie, Bullgari doli fitues si Hoteli më i mirë në Ballkan në kategorinë Best 5 Star Conference & Business Tourism.
Shpërblimi për industrinë e turizmit në Ballkan është çmim i cili iu jepet bizneseve të turizmit për arritjet dhe sukseset në fushën e ekonomisë në Ballkan.
“Jemi të lumtur që projekti i nisur 11 vite më parë në kryeqytetin e Kosovës ka marrë formë dhe ndërtim kaq dinjitoz në rrugëtimin e zhvillimit të tij. Projekti Emerald, i pari dhe i vetmi i llojit të tij në Kosovë, vazhdon të vlerësohet ndërkombtarisht për punën e palodhshme të kultivuar ndër vite. Që nga fillimi e deri më sot, menaxhmenti dhe i gjithë stafi kan punuar me të njëjtin vizion i cili ka unifikuar energjinë e të gjithëve dhe ka ndërtuar këte Hotel të suksesshëm, i cili sot mban me krenari titullin si Hoteli më i mirë në Ballkan” ka thënë Safet Mehmetaj, drejtor gjeneral në Hotel Emerald.
Në edicionin e shtatë të eventit, janë shtruar triumfe të shumta për përfaqësuesit e Kosovës pasiqë këto kompani kanë reflektuar cilësi fenomenale në kuadër të fushës së turizmit.
Në këtë event kanë marrë pjesë perfaqësues të shteteve të shumta të Ballkanit, përfshi Republikën e Kosovës (përmes ambasadës së Kosovës në Bullgari), Republikës së Bullgarisë si dhe operator të turizmit nga shtetet tjera te Ballkanit.