Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe Komisonerja e BE-së për Inovacion, Hulumtim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Mariya Gabriel kanë nënshkruar në Prishtinë dhe Bruksel marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe”. Me këtë marrëveshje, Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Izraelit.
Statusi i asociuar do të thotë më shumë mundësi për subjekte juridike dhe individë nga Kosova për pjesëmarrje në programet kërkimore evropiane. Me këtë rast, Kosova bëhet pjesë aktive e Hapsirës Evropiane të Kërkimit, duke përfituar nga pjesëmarrja në një ekosistem të përbashkët, panevropian të kërkimit dhe inovacionit.
Programi “Horizon Europe” është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro. Programi bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke mbështetur zbatimin e politikave të BE-së dhe duke adresuar sfidat globale të njerëzimit përmes kërkimit dhe inovacionit.
Në programin Kornizë të BE-së për hulumtim dhe inovacion, Kosova fillimisht ka marrë pjesë në programin “Framework Programme 7” dhe “Horizon 2020”. Në këto programe, Kosova ka pasur statusin e vendit të tretë (third country) bashkë me shumicën e vendeve të tjera të botës, ndërsa me këtë Marrëveshje statusi i Kosovës avancohet ndjeshëm.
Marrëveshja për asocim në Programin “Horizon Europe” hyn në fuqi pasi të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, subjekteve juridike nga Kosova i është lejuar të aplikojnë edhe në thirrjet e vitit 2021, ndërsa fituesit do të mund t’i realizojnë projektet e tyre pas ratifikimit të Marrëveshjes.