Gjilan, 9 dhjetor 2021/Alban Hyseni ka marrë sot detyrën e kryetarit të Komunës në Gjilan, si fitues i zgjedhjeve të tetorit 2021.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe dhënies së betimit nga këshilltarët e rinj si dhe kryetari i Komunës, në cilësinë e kryetarit të ri, Alban Hyseni ka mbajtur edhe një fjalë rasti, ku ka ofruar dhe ka kërkuar bashkëpunim me të gjithë për të mirën e qytetarëve të Gjilanit.
‘Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin dhe që e reflektuan me votë më 17 tetor dhe pastaj më 14 nentor’, ka thënë Hyseni.
Duke i falënderuar qytetarët për këtë besim, Hyseni tha se këtë besim tashmë po e rikthejmë në bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë.
‘Do të jem zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen dhe zgjidhen të gjitha problemet e qytetit, do të jem zëri që do të pasqyrojë barazinë në trajtimin e të gjithëve dhe tajkalimin e shqetësimeve tuaja që kanë të bëjnë me komunën tonë’, ka nënvizuar tutje Alban Hyseni.
Për më tepër ai ka premtuar qasje të njëjtë dhe të përbashkët për të gjithë, qofshin ata përkrahës apo jo, mbëshetës apo jo në zgjedhjet që spo kaluan.
‘Në Gjilan po fillon që sot ndryshimi dhe risia, po fillon një vision i ri’, ka thënë Hyseni.
Ai i ka rikujtuar këshilltarët komunalë se e kanë detyrim përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të çdo qytetari, pa dallime partiake e me paanësi.
‘Çdo proces që ndërmarrin do të jetë proces i bashkimit dhe jo i ndarjes mes nesh. Këtu puna jonë është e përbashkë, nuk është e interesave personale, është e ndershmërisë, nuk është e përfitimit vetjak, e profesionalizimit dhe e arritjes së vetëm një qëllimi – mirëqenies dhe zhvillimit për banorët e Gjilanit dhe për Gjilanin’, ka thënë Hyseni.
Kryetari Hyseni ka premtuar se programi dhe projektet e premtuara vetëm sa do të pasurohen gjatë qeverisjes dhe do të kthehen në realitet, sepse ne nuk kemi premtuar gjera të pamundshme.
“Ju keni zgjedhur objektivat që ne kemi premtuar dhe tashmë është koha që së bashku këto objektiva t`i kthejmë në realitet’, ka thënë ndër të tjera kryetari Alban Hyseni.
Seancën inaguruese të Kuvendit Komual e ka udhëhequr Ismajl Kurteshi, këshilltari më i vjetër i kësaj përbërje.