Shkruan: Avni Rudaku
Nuk ka autoritet në Kosovë që nuk është degraduar në prestigjin social, sa ai i mësimdhënësit. Edhe njeriu më analfabet, bën hajgare dhe zhvlerëson mësimdhënësin. Merrni listën e 30 shteteve me arsimin më cilësor, në nivel parashkollor, parauniversitar, pasuniversitar, doktoratë e postdoktoratë, në krejt botën, që nuk dolën vendet me ekonominë më të zhvilluar në planet, unë heqi dorë që sot nga roli si mësimdhënës – me përjashtim të ndonjë vendi shumë të pasur arab, por që janë me arin e zi dhe turizëm pelegrinazhi fetar ose tregtar.
A është Kosova vendi më i varfër në rajon?
Po.
Po në Evropë?
Po.
E si mund të prisni arsim më cilësor e jemi vendi më i varfër në rajon e Evropë?!
Po nëse mësimdhënësit janë kryefajtorët, e duhen përjashtuar nga puna, a duhen larguar edhe politikanët, krejt pa dallim, që dështuan në shëndetësi, energji, emigrim masiv? Po mjekët që shpesh japin diagnoza me t’qëllume, pa analiza të thella e konsultim në kolegjium mjekësh dhe sa e sa ortopedi e ka lënë pa gjymtyrë pacientin e sa e sa stenda janë vendosur për profit e pa nevojë? Sa e sa mjeku ka konstatuar kancer, një ‘mish të egër’, e në Francë e kanë trajtuar pa kancer?! Po sa organizata joqeveritare kanë organizuar trajnime, e kanë bërë prezantime të kota sllajdesh, me kinse “kurrikula, objektiva, kompetenca, vlerësim…”, pa trajnuar për asgjë?
Pra, kanë fajin të gjithë, por në hierarkinë e përgjithshme, fajtori numër 1, është: historiku i arsimit, ekonomia e vendit, politikanët udhëheqës, ministria përkatëse, menaxhmenti, shkalla e monitorimit, motivimi i punonjësve, sistemi i vlerave shoqërore e morale për profesione, izolimi i gjatë, mungesa e shprehisë së leximit nga modeli prindëror, zhvillimi teknologjik pa zhvillim paralel shoqëror etj.?!
Kam autokritikë, shpesh vuaj realisht si të bëhem më tërheqës për nxënës e studentë me platformat online; si të jem më interesant për ta sesa Jutjube, sesa gejmerët, influencerët, tiktok-istët, yjet e modës, sportit, muzikës e filmit, por si mësimdhënës, shpesh ndihem i vetëm e me pak entuziastë, ndihem sikur e kam humbur betejën… Ua përmendi leximin, qeshin, lexoj në laptop në kafebar, e një a dy në krejt qytetin, i shoh me laptopë! Ku kryhet fakulteti me skrinshota e me celularë, e pa laptopa?!
Cilësia në arsim është më e ndërlikuar sesa një ndryshore: mësimdhënësit.
Por dijeni mirë, në inflacion, prekem edhe unë, edhe prindërit, edhe nxënësit.
Por dijeni mirë, arsimi e jeta është shumë më e ndërlikuar, sesa ka zgjidhje të shpejta, magjike.
Nuk po relativizoj, por veç po dua ta zgjerojmë debatin mbarëkombëtar: hajde, si ta bëjmë arsimin më cilësor?!
Ta bëjmë debatin më shkencor, e më pak partiak, protagonist, polemik.