Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.
Në këtë mbledhje, sipas SBASHK-ut, do të merren vendime për veprimet sindikale që do t’i marrin nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë dhe nëse nuk merret ndonjë vendim lidhur me implementimin e Ligjit të Pagave.
“Kemi nderin t’ju ftojmë në takimin e jashtëzakonshëm që do ta mbajmë me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e Pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive”, thuhet në një njoftim për media nga SBASHK-u.
Takimi do të mbahet në sallën e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, të premten, më 12 nëntor me fillim në orën 14:00.
Kujtojmë që SBASHK-u ka paralajmëruar më herët bllokim të sistemit arsimor nëse nuk implementohet Ligji për Paga.