Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherit kryetar i Komunës së Gjilanit, ka folur rreth vendimit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të mos e dekretuar kosovarin Gent Cakaj në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Haziri në FRONTAL të T7, ka thënë se ndaj Cakajt është zhvilluar një fushatë ndaj tij, me cilësimet si një kosovar i pa përvojë.
“Nuk do të doja që ta eliminonin për bindje politik e krahinore”, ka thënë Haziri.
Haziri ka thënë se megjithatë nuk beson që Gent Cakaj nuk është dekretuar shkaku i qëndrimit të tij për korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.
Ai thotë se gjithmonë është diskutuar nëse Cakaj do të mund të zëvendësoj një format të ish-ministrit Ditmir Bushati.
Haziri thotë që Cakajt është dashur që t’i jepet mundësia që të bëhej ministër, duke e quajtur si të pa qëlluar vendimin e Ilir Metës për të mos e dekreatuar.
“Më shumë duket si një problem i brendshëm politik në Shqipëri”, ka thënë Haziri për çështjen e mosdekretimit.
Sipas zyrarit të lartë të LDK-së, Edi Rama, është dashur që ta mbrojë deri në fund, Gent Cakajn.
“Është dashur që të mbrohet deri në fund, gjë e cila nuk është bërë”, ka shtuar Haziri.
Megjithatë Haziri thotë se ka vend në politikën kosovare për persona si Gent Cakaj.
“Mendoj që vendin e ka. Djem e vajza të gjeneratës së tij po shkëlqejnë. Megjithatë politika nuk po i lejon që të depërtojnë”, ka thënë ndër të tjera kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.