Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se gjatë javës që vjen do të mbahen gjithsej katër seanca, raporton zeri.info.
Pas mbledhjes së kryesisë, ai ka folur edhe për çështjen e taksës, me ç’rast ka thënë se tarifa nuk duhet të bëhet shkas për dramatizimin e situatës.
“Ajo çka ne duhet të bëjmë bashkërisht është kjo, të mos e dramatizojmë situatën, qoftë me dialog, por në të njëjtën kohë edhe me tarifën. Ato duhet t’i shërbejnë ballafaqimit me Serbinë. Po e them këtë për faktin se shumë gjëra që po ndodhin muajt e fundit në Kosovë më tepër po shfrytëzohen për garë të brendshme, çka po i dëmtojnë edhe qyetarët”, ka deklaruar ai.
Gjatë deklaratës për media, i pari i kuvendit foli edhe rreth raportimeve se SHBA mund ta largojë kampin Bondsteel nga Kosova, si rrjedhojë e mospezullimit të taksës.
Por Veseli tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
SHBA është partneri më i sigurt, më besnik i Kosovës në shtetformim. Janë ide të çoroditura të mendojë dikush se nga SHBA do të vijë ndonjë rrezikim ndaj shtetit të Kosovës. Do të qëndrojë baza në Bondsteel, por ne duhet të jemi më të mençur për ta mbajtur edhe bazën Bonsteel, për ta promovuar këtë prezencë amerikane me biznese amerikane. Në vend se të mendohemi tani si ta kryejmë dialogun, si të marrim ulësen në OKB, pa e cenuar territorin e Kosovës, të mendojmë për aspekte ekonomike, ne po merremi edhe me vetveten”, ka theksuar Kadri Veseli.
Ndërkohë, Veseli para rreth një muaji kishte kërkuar që taksa ndaj produkteve serbe të pezullohej për 120 ditë. /Zeri