Gjatë ditës së sotme në media ka qarkulluar një ultimatum nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë e të Bosnjës. Ndaj kësaj ka reaguar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj. Ai ka thënë që pa kontratë të paradakorduar e pa garanci ndërkombëtare që marrëveshja përfundon me njohje nuk do të ketë heqje të taksës, raporton “Zëri.info”.
“Përderisa kemi vetëm sygjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Përderisa kemi vetëm sygjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi
Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente.
Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje.
Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje. /ZERI