Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë mbrëmë dekretit të presidentit Thaçi me anë të të cilit, Avdullah Hoti nga LDK ishte mandatuar për kryeministër të ri të Kosovës.
Vendimi i Kushtetueses i ka hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Nga LDK kanë paralajmëruar se më së largu deri të hënën Kosova do ta ketë qeverinë e re të udhëhequr nga Hoti.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e cila në Kushtetuese kishte dërguar argumente kundër dekretimit të Hotit nga ana e presidentit Thaçi, nuk është deklaruar ende lidhur me vendimin.
Mirëpo, më 24 mars, një ditë para se të rrezohej Qeveria, ajo kishte dhënë një premtim lidhur me të ardhmen e saj brenda një qeveria të re, shkruan Reporteri.
Osmani kishte përmendur mundësinë që të mos jetë Kryetare e Kuvendit. Në një konferencë për media, pas mbledhjes së kryesisë ku ishte vendosur për mocionin, ajo foli kundër nismës se partisë së saj dhe shtoi se nuk mbështetë çfarëdo formule tjetër qeverisëse.
Ajo pati thënë se në rast se bëhet qeveria e re teknike, nuk do të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës.
“Në një Qeveri të re teknike unë nuk do të jem kryetare, me kushtetutë kjo pozitë i takon partisë së parë, fituesve të zgjedhjeve. Unë nuk mund të përfshihem në pazaret e partive për interesat të veta”, ka thënë ajo.
Ndryshe, disa ditë më parë Osmani ka bërë të ditur se është e gatshme ta lirojë postin e kryetares së Kuvendit nëse këtë ia kërkon Vetëvendosje.
Osmani në Pressing tha se nuk e problem lirimin e pozitës në Kuvendin e Kosovës nëse një gjë e tillë do t’i kërkohej nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë.
“Nuk e kam për synim të mbajë postin vetëm pse e kam marrë një herë votën. Në qoftë se e vlerësojnë se dëshirojnë të propozojnë dikë tjetër në krye të kuvendit, nuk kam asnjë arsye të qëndroj në këtë post sepse lidhet drejtëpërdrejt edhe me besim e deputetëve, nuk lidhet vetëm me dëshirën time”, ishte shprehur ajo. /Reporteri